Vendosni fjalën kyçe....

Miratimi nga Kushtetuesja i marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët, si u mbërrit në vendimin e djeshëm që nga 6 nëntori 2023


Gjykata Kushtetuese miratoi dje marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët.

Ajo pason një periudhë thuajse tremujore që nga firmosja e marrëveshjes në Romë mes kryeministrit shqiptar dhe asaj italiane dhe një vizitë të kësaj të fundit në Shqipëri gjatë verës, ku besohet se është diskutuar diçka e tillë.

Gjatë këtyre tre muajve, Rama u detyrua ta bëjë të hapur për publikun marrëveshjen i detyruar nga mediet, teksa hollësitë e asaj që përfshinte ajo u zbuluan  nga Gogo.al që publioi draftmarrëveshjen.

Po kështu ka pasur akuza e përplasje politike mes palëve si në Shqipëri ashtu edhe Itali me opozitën që jo vetëm ka kërkuar zbardhjen e marrëveshjes por edhe anulimin e saj.

Hollësitë e marëveshjes

Hollësitë e marrëveshjes, që u zbuluan nga Gogo.al përcaktojnë se Italia do ngrejë në Gjadër të Lezhës një kamp për qëndrimin e emigrantëve që do kapen në det ende pa mbërritur në tokën italiane.

Ndërkohë Porti i Shëngjinit do jetë pika e mbërritjes së tyre ndërsa kapaciteti maksimal i numrit që do trajtohet njëherazi në tokën shqiptare do jetë 3 mijë në muaj dhe jo më shumë se 36 mijë në vit. Marrëveshja do jetë fillimisht për një afat pesë vjeçar me mundësinë e zgjatjes së mëtejshme.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët, ashtu sikurse do ndërtohet nga italianët edhe struktura për akomodimin e personelit shqiptar ndihmës.

Shpenzimet për këtë vendim politik, siç edhe është raportuar deri më tani do të përballohen nga Italia. Roma do i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro brenda një 3-mujori ndërsa parashikohet gjithashtu që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia do marrë përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Po kështu Italia merr përsipër 100% të kostos së parashikuar në kontratat përkatëse të blerjes së pajisjeve mjekësore dhe barnave, përfshirë vaksinat, për të cilat Shqipëria dokumenton përdorimin si dhe 100% të kostos së blerjes, të aprovuar më parë nga autoritetet italiane, të artikujve dhe shërbimeve të ndryshme.

Shqipëria nga ana e saj përveç territorit të saj do shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura.

Përplasjet këtej e andej detit

Ndërsa në Shqipëri reagimi ishte ende i vakët, marrëveshja shkaktoi një tërmet në Itali me opozitën që lëshoi akuza të forta ndaj kryeministres Meloni dhe qeverisë së saj duke kërkuar anulimin e marrëveshjes pasi sipas saj ajo shkelte të drejtat e njeriut dhe një sërë ligjesh e konventash evropiane.

Madje në pikën e vlimit të përplasjes, qarkulloi një lajm që e majta italiane do kërkonte përjashtimin e PS-së shqiptare nga grupi i Partive Socialiste Evropiane, hap që nuk u ndërmor më pas.

Në Shqipëri reagimet ishin  të vakta edhe pse faktin që opozita, kryesisht PD-ja ishte dhe është e përfshirë në një “Luftë Civile”.

Kryeministrja italiane Meloni u shpreh e zhgënjyer që reagimet më të ashpra dhe më të forta kishin  ardhur nga brenda Italisë se sa nga vendi pritës.

Rama mbron marrëveshjen

Kryeministri shqiptar në disa reagime pas nënshkrimit të marrëveshjes e mbrojti atë duke theksuar se Shqipëria i detyrohet shumë Italisë që ka pritur emigrantët shqiptarë në vitet 90’, gjë që ka përbërë edhe argumentin kryesor me të cilin Rama ka përballur kundërshtitë e vakëta brenda vendit.

Kundërshtitë e opozitës

Grupet e opozitës Berisha-Bardhi nga njëra anë dhe grupi Basha nga ana tjetër depozituan në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për anulimin e marrëveshjes dhe bërjen e saj transparente për publikun para vajtjes në Kuvend.

Po kështu grupi Berisha-Bardhi kërkoi që para miratimit të saj të merre një opinion nga Gjykata Evropianë e të Drejtave të Njeriut.

Kreu i Rithemelimit Berisha i pyetur në disa raste për marrëveshjen Rama-Meloni lëshonte akuza nga kryeministrit Rama por hidhte poshtë mundësinë e organimizimit të protestave qytetare kundër saj.

Sipas avokatit Altin Goxhaj, Berisha e shiti kauzën pas një telefonate me Antonio Tajanin, zv.kryeministrin e Italisë nga radhët e Forza Italia.

Protestat qytetare

Disa qytetarë nga Lezha janë shfaqur në disa raste në dyert e Gjykatës Kushtetuese në rastet e vendimeve të saj për marrëveshjen.

Ata kanë kërkuar anulimin e saj. Disa ditë pas marrëveshjes në Lezhë u zhvillua një protestë kundër saj megjithatë nuk ka pasur lëvizje të tjera që kanë pasuar.

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese fillimisht e ngriu marrëveshjen deri në shqyrtimin e kërkesave të bëra nga dy grupimet e opozitës. Megjithatë pasi i rrëzoi të gjitha një e nga një, ditën e djeshme vulosi marrëveshjen. Sipas Kushtetueses marrëveshja nuk ka shkelje të Kushtetutës dhe as cenim të të drejtave të njeriut.

“Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik. ”

Sipas gjykatës Traktati i Miqësisë i vitit 1995, lejon dy qeveritë të lidhin marrëveshje mes tyre.

“Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit”

Po kështu sipas Gjykatës Kushtetuese nuk ka cenim të të te drejtave të njeriut.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.”

Reagimet

Deputeti demokrat Gazment Bardhi shkruante dje me jo pak ironi se nuk priste asgjë tjetër nga “Vali Bizhgat” në Gjykatën Kushtetuese. /Hashtag.al