Vendosni fjalën kyçe....

NATO planifikon “Shengenin ushtarak”


Planet janë duke u zhvilluar për të krijuar një rrjet “korridoresh ushtarake” në gjithë Evropën në një përpjekje për të anashkaluar rregulloret e ndërlikuara që aktualisht kufizojnë shkëmbimin e pajisjeve dhe personelit midis vendeve të NATO-s, raportoi të dielën The Times.

Në nëntor, shefi i logjistikës evropiane i NATO-s, Gjeneral Lejtnant Alexander Sollfrank u kërkoi vendeve në rajon të krijojnë zona për të lejuar lëvizjen e shpejtë të trupave dhe municioneve në rast të një konflikti të madh me Rusinë.

Ideja është përhapur nga liderët ushtarakë për vite me radhë, vuri në dukje The Times, duke thënë se bisedimet për krijimin e korridoreve “janë duke u zhvilluar” dhe rezultatet mund të shpallen përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në korrik.

Në një intervistë me The Times, Sollfrank tha se anëtarët e bllokut ushtarak duhet të fillojnë pa vonesë të bëjnë përpjekje për të “zvogëluar ose përshtatur burokracinë” kudo që të jetë e mundur.

“Të gjithë mund të fillojnë. Vetëm bëjeni. Mos prisni sepse nuk kemi kohë për të humbur”, paralajmëroi ai.

Shefi i logjistikës vuri në dukje shembullin e parashutistëve që u ndalohet përdorimi i parashutave që u përkasin vendeve të tjera anëtare, edhe kur nuk ka asnjë arsye për një kufizim të tillë.

“Ku është problemi, për shembull, me një parashutist nga një komb evropian A që të përdorë një parashutë nga një komb fqinj B pasi është stërvitur në këtë sistem. Nëse nuk ka çështje teknike apo sigurie, nuk duhet të ketë pengesa”, tha ai.

Megjithatë, Gjeneral Lejtënant Jan-Willem Maas, shefi i Komandës së Mbështetjes së Mbrojtjes për forcat e armatosura holandeze, i tha The Times se kishte ende shumë përgatitje të nevojshme.

“Nuk jemi aty ku duhet të jemi. Kjo është e qartë”, tha ai.