Vendosni fjalën kyçe....

Njerëzit në Gaza detyrohen të pinë ujë të ndotur


Palestinezët nga kampi i refugjatë Jabalia në veri të Rripit të Gazës u rreshtuan në një cisternë uji duke mbajtur enë plastike në dorë, por për shumë prej tyre pritja do të jetë e kotë.

Cisterna e ujit ka kapacitet të kufizuar dhe nuk mund të sigurojë ujë për qindra palestinezët që kalojnë orë të gjatë duke pritur çdo ditë. Rripi i Gazës vuan nga një krizë e rëndë e ujit për shkak të infrastrukturës së shkatërruar në luftën e vazhdueshme.

Situata është veçanërisht e rëndë në pjesën veriore të enklavës. Pas sulmit të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, Izraeli ka ndërprerë furnizimin me ujë, ushqim, ilaçe, energji elektrike dhe karburant për 2.3 milionë palestinezët në Gaza.

Sipas Autoritetit Palestinez të Ujit, objektet e shkripëzimit dhe rrjetet e ujërave të zeza në Gaza janë ndërprerë për shkak të mungesës së karburantit dhe energjisë elektrike që nga mesi i muajit tetor të vitit të kaluar.

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar vazhdimisht për përhapjen e sëmundjeve për shkak të krizës së ujit, shoqëruar me mungesën e furnizimeve higjienike.

Christian Lindmeier, një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për Anadolu tha se “njerëzit në Gaza po jetojnë në një katastrofë, të ekspozuar ndaj vdekjes nga uria, kequshqyerja, etja ose nga plumbat dhe lëndimet mbi kokat e tyre”.