Kryeministri Edi Rama paralajmëron reformim të pagave në sistemin arsimor. Rama tha se për pak muaj paga mesatare e mësuesve do të shkojë në 950 euro, me rritjen që është përcaktuar, por sipas tij kjo është e pamjaftueshme
Kreu i qeverisë tha se po shikohet mundësia që mos të kemi më një sistem pagash të unifikuar për mësuesit dhe se ata do paguhen sipas meritave dhe performancave në mësimdhënie.
Për këtë ka nisur krijimi i një portofolit dixhital që do ketë të dhëna për çdo mësues, kualifikimet e tyre, trajnimet, performanca në mësimdhënie.
“Nuk mjafton vetëm rritja e pagave. Pagat për pak muaj do shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton. Prandaj na duhet të reformojmë sistemin për shembull, mesatarja e rritjes së vjetërsisë së pagës do jetë çdo 5 vjet si rezultat i rritjes së vjetërsisë në punë, duhet ta reformojmë komplet.
Duhet të bëjmë të mundur që përveç pagës uniforme, të ketë edhe nivele të ndryshme pagash sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Për këtë na duhet sistem i besueshëm kualifikimesh, trajnimesh, kreditesh.
Ministrja përmendi portofolin dixhital që ka filluar të strukturohet, por janë një sërë elementësh që duhen vënë në vijë. Ne besojmë që mund t’ia dalim kësaj sfide”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek mbështetja e BE për vendin tonë, sa i takon fushës së arsimit.
“BE sot duke kuptuar këtë nevojë, këtë shqetësim të madh ka ndryshuar qasjen dhe për herë të parë në histori ka vendosur për një vend që nuk është vend i BE, por është në procesin e negociatave me instrumente financiarë që deri dje mund ti gëzonin vetëm vendet e BE”, tha Rama.