Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmetit në një deklaratë nga tubimi që mbahet poshtë shtëpisë së Sali Berishës foli për mbylljen e mbledhjes nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Sipas Alimehmetit mbyllja dhe përjashtimi i Tedi Blushit tregon që Veliaj trembet nga transparenca.
Anëtari i Këshillit Bashkiak denoncoi rritjen e shpenzimeve nga Veliaj për administratën dhe inceneratorin si dhe uljen e shpenzimeve për arsimin bazë, rininë, sportin apo edhe për shërbimet publike e mbrojtjen nga zjarri e përmbytjet.
“Vijmë sot nga një mbledhje e munguar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kujtojmë që përgjegjësia është esenca e demokracisë, ta kujtojmë këtë fakt se ne po kërkonim përgjegjësi Veliajt.
Ligjin e përdorin si maliq kur kanë qef, ata njerëz sot përjashtuan një anëtar të këshillit i cili është zgjedhur me votat e tuaj, Blushin e përjashtuan sepse ai dërgoi një palë pranga dhe kjo i frikëson ata sepse prangat ishin lodër dhe plastike edhe përsëri ai kishte frikë nga ato.
Sot ai prapë mbylli mbledhjen duke larguar edhe ata të tjerët që ai i trembet. Veliaj ka rritur shpenzimet për administratën e tyre, rriti shpenzimet për inceneratorëin dhe ka ulur shpenzimet për arsimin bazë, për rininë, sportin, për shërbimet publike, për mbrojtjen nga zjarri dhe për sistemin e kanalizimeve dhe përmbytjes dhe ne për këto i kemi kërkuar llogari.”- deklaroi Alimehmeti.