Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur pyetjeve të ndjekësve në rrjetin social Instagram, lidhur me ofertën e PD për arsimin.
Basha e konsideroi situatën e arsimit të sotëm në nivel të mjerueshëm, por kjo sipas tij nuk mund të frenojë ambiciet që shqiptarët të kenë mundësi t’ju japin fëmijëve të tyre arsimin më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
“E vështirë ta përmbledhësh me pak fjalë. Arsimi sot është në nivel të mjerueshëm, këtë e tregojnë edhe vlerësimet e Pisa-s. Por kjo nuk mund të na frenojë në ambiciet që kemi. Dhe ambicia është shqiptarët të kenë mundësi t’ju japin fëmijëve të tyre arsimin më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Për këtë duhet të investojmë tek mësuesit, tek infrastruktura shkollore dhe universitare dhe duhet të bëjmë të mundur që çdo familje shqiptare pavarësisht prej të ardhurave të kenë mundësi t’ju japë fëmijëve të tyre arsimin universitar. Jo thjesht një diplomë, por një profesion për të nesërmen që t’ju garantojë paga dinjitoze, të ardhura të mjaftueshme për një jetë të mirë për ta dhe familjet e tyre. Shumë shpejt ky program do të shpaloset në detaje, do të kemi mundësi ta debatojmë së bashku.”, u shpreh Basha.