Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot, vetëm me votat e mazhorancës, ndihmën ekonomike për familjet në nevojë, si dhe dhënien e bonusit të qerasë për familjet e evakuuara nga banesat e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.
Por, ashtu si në mbledhjet e fundit të këshillit, edhe sot këshilltarët e PD së Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Arlind Qorit u bashkuan për të mos votuar dhënien e ndihmës ekonomike dhe bonusin e qirasë për të pastrehët.
Teksa i sheh çdo ditë të politizojnë çdo kauzë, sot ekstremi i djathtë e i majtë i politikës u bënë bashkë të mos votoheshin vendimet e ndihmës ekonomike dhe bonuset e qerasë për të pastrehët, madje duke mos lënë as Kryetarin e Bashkisë të marrë fjalën e të arsyetojë vendimet.
“Do kishit votuar ndihmën ekonomike dhe qiranë. Po ju s’keni as din, as iman, as Zot, as atdhe as asnjë gjë”, u tha kryebashkiaku Veliaj në fund të mbledhjes.
Një nga vendimet që ata refuzuan të votojnë ishte edhe ai për miratimin e pagesës së qirasë sipas vlerës së tregut të lirë për familjet që preken nga rindërtimi në zonën e Kombinatit dhe ato të zonës së “5 Majit”.
Kujtojmë që gjatë zgjedhjeve të majit 2023-s, opozita tentoi që të bëjë fushatë me këto familje në nevojë, ndërkohë që sot kur zgjedhjet kanë përfunduar, refuzon që të miratojë ndihmën ekonomike dhe bonusin e qirasë për këto familje.