Politikani opozitar rus, Boris Nadezhdin, i cili haptazi ka bërë thirrje për ndaljen e pushtimit të Ukrainës nga Moska, e ka dorëzuar aplikacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë për t’u regjistruar si kandidat për zgjedhjet presidenciale të 17 marsit.
Nadezhdin tha të mërkurën në uebsajtin e tij zyrtar se i ka mbledhur mbi 110.000 nënshkrime mbështetëse, mbi pragun prej 100.000 nënshkrimeve të nevojshme për t’u regjistruar si kandidat.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka 10 ditë kohë për t’i vlerësuar nënshkrimet se a janë të mirëfillta apo jo, dhe për të vendosur nëse Nadezhdin lejohet të garojë për president.
Nadezhdin, një 60-vjeçar i lindur në Uzbekistan, po përkrahet nga shoqatat e politikanit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny dhe figurat opozitare në mërgim, Maksim Kats dhe Mihail Khodorkovsky, megjithëse pritjet janë që zgjedhjet do të fitohen me lehtësi nga presidenti Vladimir Putin, i cili e ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër prej vitit 1999.
Putini u regjistrua zyrtarisht si kandidat për president në fillim të kësaj jave për zgjedhjet që pritet t’i fitojë pa ndonjë telash, sepse kundërshtarët e tij kryesorë ndodhen ose në burg ose në mërgim, pasi kanë ikur për arsye sigurie.
Zgjedhjet në Rusi kontrollohet fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.
Kush është Boris Nadezhdin?
Boris Nadezhdin, 60 vjeç, angazhohet për fundin e luftës në Ukrainë dhe fundin e mobilizimit ushtarak, si dhe për dialog me Perëndimin.
“Njerëzit nënshkruajnë për mua, jo sepse u pëlqej në mënyrë të veçantë, por sepse është një shans për të bërë diçka për paqen, për t’i dhënë fund gjithë kësaj historie dhe për t’i ndalur vrasjet e njerëzve”, tha Nadezhdin për agjencinë e lajmeve Reuters, më 24 janar.
Së fundmi, aktivistë rusë në Mal të Zi mblodhën nënshkrime për Nadezhdin./REL