Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se do të jetë e pamundur që të zhvillohet votimi elektronik në 5 qarqe të mëdha të vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025, nëse partitë politike nuk do të kenë konsensus të paktën deri në fund të muajit shkurt.
Celibashi tha për gazetarët që partitë politike duhen të gjejnë konsensusin dhe të analizojnë kostot, pasi vlera për votimin elektronik në të gjitha qarqet është shumë e lartë. Ai thotë se KQZ i duhet të paktën 1 vit kohë për përgatitjet.
KQZ kërkon ta shtrijë votimin elektronik në 5 qarqe, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë dhe Fier.
“Do të jetë thuajse e pamundur, nëse partitë politike dhe qeveria nuk disponojnë në lidhje me këtë rekomandim të KQZ, brenda një periudhe, që ne kemi llogaritur fundin e muajit shkurt.
Eksperienca e deritanishme e KQZ-së në lidhje me votimin elektronik, ka treguar që ky proces, në këto 5 qarqe që ne kemi rekomanduar, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë dhe Fier është mjaft impenjativ nga pikëpamja e resurseve njerëzore që duhet të anagzhohen, por edhe përgatitjet nga pikëpamja teknike.
Kemi nevojë për të paktën 1 vit kohë për ta përgatitur këtë proces nëse duam që mos të marrim asnjë kritikë dhe të mos vihet në dyshim nga askush. Paritë politike të ulen ta konsultojnë nëse kanë interes, nëse ekzistojnë financat dhe nëse kanë dobi pasi kostot janë shumë të larta për këtë mënyrë votimi. Ne jemi neutral për këtë çështje, pasi në fund të fundit zgjedhjet janë bërë dhe mund të bëhen edhe pa votim elektronik. Është çështje politike më së pari, se sa teknike.
Duhet konsensus i gjerë dhe sa më shpejt sa të jetë e mundur. E dimë shumë mirë, për fat të keq, që ndërgjegjësimi i partive politike nuk shkon deri atje sa të jenë tërësisht realiste në vlerësimin e opinionit të kundërshtarëve, jo e jo, por edhe të institucioneve që kanë përgjegjësi për administrimin e procesit zgjedhor.
Është parim, një rregull sa më i gjithëpranuar të jetë, aq më i besueshëm është procesi që realizohet, duke respektuar rregullin që gëzon konsensusin e gjerë.”, tha Celibashi.
Kujtojmë që në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit, votimi elektronik është aplikuar në 3 bashki, Kamëz, Vorë dhe Elbasan.