Vendosni fjalën kyçe....

Blegtorët e Gjirokastrës në protestë: Të rritet çmimi i qumështit, grumbulluesit po na falimentojnë


Blegtorët e Gjirokastrës, Sarandës, Delvinës, Tepelenës, Përmetit kanë protestuar për të treten here tek Ura e Kardhiqit në Gjirokastër.

Ata ankohen se  fabrikat dhe baxhot kanë fiksuar çmimin e qumështit, me 120 lek për litër duke sjellë humbje të mëdha për ta.

 Ata pritet të takohen sot me ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, për t’i prezantuar katër pikat kryesore të protestës: rritjen e çmimit të shitjes së qumështit, dyfishimin e subvencioneve, sistemimin e lerave malore dhe mundësimin e kontratave 15 vjeçare për kullotat.

“Jemi në protestën e radhës pasi zotërinjtë e ministrisë na kanë lënë një takim por e kanë lënë në një moment të papërshtatshëm sepse kujtojnë se ne do të largohemi. Zonja ministre ka ardhur mesa kemi informacion, ndodhet në Tepelenë do të inaugurojë një thertoreNjë rrugë e dy punë si i thonë.

Ne prapë do t’ia paraqesim ato 4 pika dhe në qoftë se ata nuk reagojnë do të na kenë në rrugë përsëri sepse kanë bërë edhe presion. Te shumë blegtorë ka pasur presione.”

Blegtorët shprehen se detyrohen ta shesin qumështin me çmim të lirë ndërkohë që është dyfishuar çmimi për ushqimin e bagëtive.

“Ne kemi 4 pika zotëri i dashur. As për subvencionet as për kullotat as për veprat ujore. Nuk ka më kthim pas sepse ne po vuajmë si qeni. Nëse ata nuk na zgjidhin këto 4 pika, ne do t’i shesim dhe do të ikim nga ky vend sepse kjo është e qëllimshme”- tha blegtori.

Protesta të ngjashme janë organizuar gjatë janarit edhe në Fier e Vlorë pasi për blegtorët që mbarështojnë delet e dhitë ulja e çmimit do të thotë faliment! Ata kërkojnë që çmimi dysheme i qumështit të bëhet 160 lekë për litër.