Kreu i qeverisë është mbledhur sot në një tryezë me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech. Në fokus të këtij takimi është nevoja për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare.
Gjatë fjalës së tij ai ka thënë se bankat duhet të jenë tashmë në nivelin e lartësisë së sfida që është Shqipëria, për të “shkëlqyer në Europë” ndërsa i vuri ‘detyrë’ Bankës së Shqipërisë që të udhëheqë procesin e digjitalizimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Ai tha se këtë proces duan ta bëjnë në paqe, por gjithsesi do ta bëjnë sepse sipas Ramës, çdo gjë që e bën një shtet tjetër, nuk ka pse Shqipëria të mos e aplikojë.
“Duam ndryshim të shpejtë dhe real, jo pas disa vitesh por këtë vit. Pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja, biznese që shesin me këto sistemi. Duam të shikojmë rënie reale të cash në qarkullim, rritje reale të transparencës së parasë dhe të ardhurave për vendin.
Këtë duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe paqe, por në të gjitha rastet do ta bëjmë patjetër, se nuk pranojmë dot këtë inerci të tmerrshme. BSH ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë. Të gjitha justifikimet, alibitë që vijnë nga prishja e zonës së komfortit, ne nuk do t’i pranojmë.
Çdo gjë që e bën një vend tjetër, s’ka pse nuk e bën Shqipëria”, tha Rama duke iu drejtuar përfaqësuesve të sistemit bankar.
“Të kërkojmë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide, që është sfida e Shqipërisë. Një sfidë shumë e vështirë, që duhet të shkëlqejë në Europë. Teknologjia aq sa në jep mundësi të përshpejtojmë progresin, na bën që çdo ditë që humbasim na lë shumë më pas”, tha Rama.