Vendosni fjalën kyçe....

Elbasan, dyshohen se vijnë nga aktiviteti kriminal, sekuestrohen pasuritë me vlerë 550 mijë euro të dy shtetasve


Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale. 

Në kuadër të operacionit të koduar policor “Real estate”, janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 550 mijë euro të dy shtetasve në Elbasan.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Real estate”.

Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 550 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 shtetasve, të cilët janë dënuar njëri në Itali, tjetri në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” dhe në kuadër të një procedimi penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare pranë Prokurorisë së Elbasanit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Real estate”, si rezultat i të cilit u sekuestruan pasuri që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale, konkretisht:

  • Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u bë sekuestrimi i 2 pasurive të shtetasit A. K., të regjistruara në emër të tij dhe të të afërmve, konkretisht: 1 objekt 3-katësh (me aktivitet bar, restorant dhe hotel), në Cërrik, dhe 1 automjet “Lamborghini”. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi A. K., i cili është i dënuar në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”;
  • Po në zbatim të vendimit të kësaj Gjykate u bë sekuestrimi i pasurisë së shtetasit U. K., 34 vjeç, banues në Elbasan, konkretisht i një objekti banimi me sipërfaqe 105 m2, në Elbasan. Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri e sekuestruar e ka burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi U. K., i cili ka qenë i dënuar më parë, në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.