Më shumë se 1.000 fluturime u anuluan në aeroportet kryesore të Gjermanisë të enjten pasi stafi i sigurisë filloi grevë njëditore lidhur me mosmarrëveshjet e vazhdueshme mbi pagat, raporton Anadolu.
Greva anuloi më shumë se 1.100 fluturime në 11 aeroporte, përfshirë aeroportin ndërkombëtar më të ngarkuar të vendit në Frankfurt, ndërsa u prekën më shumë se 200 mijë pasagjerë.
Aeroporti i Frankfurtit tha se greva do të shkaktojë ndërprerje të mëdha dhe anulime fluturimesh gjatë gjithë ditës dhe këshilloi pasagjerët të mos vijnë në aeroport pasi pikat e kontrollit të sigurisë ishin të mbyllura.
“Ju lutemi, kontaktoni linjën tuaj ajrore ose operatorin e udhëtimit për informacion në lidhje me fluturimin tuaj. Transferimi dhe lidhja e pasagjerëve gjithashtu duhet të presin ndërprerje dhe vonesa të gjata për shkak të grevës”, thuhet në deklaratën e operatorit të aeroportit.
Ndërprerje të mëdha dhe anulime fluturimesh priten gjithashtu në aeroportet Hamburg, Bremen, Hannover, Berlin, Këln/Bon, Dusseldorf, Leipzig/Halle, Dresden, Erfurt dhe Shtutgart.
Autoritetet kanë thënë se stafi i sigurisë në aeroportet e Mynihut dhe Nurembergut nuk do t’i bashkohet grevës, megjithatë mund të ketë vonesa dhe anulime të fluturimeve, për shkak të ndërprerjeve mbarëkombëtare të operacioneve të fluturimeve.
Sindikata Ver.di kishte njoftuar grevën paralajmëruese në fillim të kësaj jave pasi raundi i tretë i negociatave kolektive me Shoqatën Federale të Kompanive të Sigurisë së Aviacionit (BDLS) nuk dha rezultate.
Sindikata, e cila përfaqëson rreth 25 mijë staf sigurie, kërkon rritje pagash prej 2,80 euro në orë, rritje të bonuseve dhe tarifa më të larta për pagën jashtë orarit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AA