Vendosni fjalën kyçe....

Kosovë, sot futet në fuqi vendimi për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb 


Sot hyn në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës pagesat do të kryhen vetëm me euro.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kërkuar nga qeveria që ta rishqyrtonte vendimin e autoriteteve financiare për të paguar me para të gatshme sipas së cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Bekim Bislmi tha dje një një konferencë për shtyp se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Ai nuk tregoi se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.

“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.

Megjithatë, ai tha se nga nesër nuk do te lejohet importimi i parave nëse, ai që bën importim, nuk është i licencuar nga BQK-ja.

Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për infomimin e qytetarëve dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që “zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis”.

“Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që në periudhat eventuale transitore të sigurojmë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa u dëmtuar”.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

Bislimi nguli këmbë se rregullorja e BQK-së nuk ka të bëjë me dinarin serb në veçanti.

“Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe e pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike”, theksoi ai.

Ai tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është përkujdesur që Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të fillojë operimin në katër komuna në veri, në mënyrë që bizneset të mund të regjistrohen dhe të fiskalizohen.