Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Hamasi nuk bien dakord për shumë çështje.
Por ka dy mënyra në të cilat ata veprojnë: së pari, ata të dy hedhin poshtë një zgjidhje me dy shtete; dhe së dyti, kur bëhet fjalë për një marrëveshje për të rikthyer mbi 100 pengjet e Hamasit të rrëmbyer më 7 tetor, të dyja palët duan të kenë pjesën kryesore të tortës.
Hamasi po kërkon që Izraeli të tërheqë të gjitha trupat e tij nga Gaza dhe të lirojë një numër të madh të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
Netanyahu u përgjigj të martën: “Ne nuk do tërheqim ushtrinë nga Rripi i Gazës dhe nuk do lirojmë mijëra terroristë. Asnjë nga këto nuk do të ndodhë. Çfarë do të ndodhë? Fitore e plotë.”
Të dy ka të ngjarë të jenë të zhgënjyer. Negociatorët thuhet se kanë rënë dakord për një “kornizë” për një marrëveshje.
Faza e parë do shihte një pushim gjashtëjavor në luftime, gjatë së cilës do liroheshin pengjet civile; tre të burgosur palestinezë do liroheshin për secilin izraelit. Një raport më i thellë do zbatohej në fazat e mëvonshme, kur ushtarët izraelitë dhe trupat e pengjeve të vdekur do liroheshin, ndoshta së bashku me një armëpushim më të gjatë.
Megjithatë, pavarësisht nga konturet e një marrëveshjeje përfundimtare, nuk ka mundësi të mira për Netanyahun. Nga njëra anë, familjet e pengjeve – veçanërisht ato femra që mund të jenë abuzuar seksualisht në robëri – po i bëjnë presion atij që të bëjë gjithçka që duhet për t’i sjellë të gjithë në shtëpi.
Në anën tjetër janë partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë; Itamar Ben Gvir, ministri i Sigurisë Kombëtare, tha të martën se do e rrëzonte qeverinë nëse ajo do binte dakord për një marrëveshje “të pamatur” me Hamasin.
Për Netanyahun, ky është një problem. Sondazhi i fundit nga Channel 12 i Izraelit zbuloi se popullariteti i tij vijon të bjerë; zgjedhjet me shumë mundësi do e shihnin atë të përjashtuar nga detyra.
Për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të perspektivës së tij, kryeministri izraelit do ketë vënë re se i njëjti sondazh zbuloi se 50% e izraelitëve kundërshtojnë një marrëveshje për pengjet që do parashikonte një armëpushim 45-ditor dhe lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë, ndërsa 38% ishin pro.
Megjithatë, edhe pa Ben Gvir dhe ministrin e Financave Bezalel Smotrich, Netanyahu do kishte ende numrat në kabinet për të arritur një marrëveshje pengjesh. Dhe edhe nëse nuk do ta bënte, kreu i opozitës Yair Lapid thotë se do ndërhynte për të mbështetur kryeministrin për këtë çështje.
Shumë gjëra mund të ndodhin ende për të prishur një marrëveshje pengjesh: hakmarrja e SHBA-së ndaj një sulmi vdekjeprurës me dron nga milicitë e mbështetur nga Irani është shumë pranë. Megjithatë shpresa se mund të arrihet një marrëveshje nuk ka qenë kurrë më e lartë.