Vendosni fjalën kyçe....

Pas F-16 amerikanë, Turqia e interesuar të blejë avionë luftarakë evropianë


Turqia është ende e interesuar që të blejë 40 avionë luftarakë të llojit Eurofighter Typhoon, tha një zyrtar i Ministrisë turke të Mbrojtjes, pasi Shtetet e Bashkuara avancuan procesin e shitjes në Ankara të avionëve F-16.

Avionët amerikanë F-16 pritet t’i kushtojnë Turqisë 23 miliardë dollarë.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Turqia tha se po bisedon me Britaninë dhe Spanjën për të blerë avionët Typhoon, edhe pse Gjermania kishte kundërshtuar shitjen e këtyre fluturakeve luftarake për Ankaranë. Atëbotë, burimet brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë thanë se bisedimet kishin nisur pasi Ankaraja e pranoi se kërkesa për blerjen e avionëve amerikanë F-16, që fillimisht ishte bërë në tetor të vitit 2021, mund të mos pranohej.

Javën e kaluar administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, zyrtarisht njoftoi Kongresin për synimin që të procedojë me shitjen në Turqi të 40 avionëve F-16, të prodhuar nga Lockheed Martin, dhe komponentë të tjerë ushtarakë. Njoftimi i administratës amerikane u bë një ditë pasi Ankaraja përfundoi procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Edhe pse nuk pritet që Kongresi amerikan të bllokojë shitjen e avionëve F-16, Turqia ende dëshiron që të blejë avionë Eurofighter Typhoon, tha një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, që foli në kushte anonimiteti, raporton Reuters.

“Ne ende jemi të interesuar, ne presim një qasje pozitive për këtë çështje nga anëtarja e konsorciumit, Gjermania”, tha zyrtari.

Avionët Eurofighter Typhoon ndërtohen nga një konsorcium i përbërë nga Gjermania, Italia dhe Spanja, të përfaqësuar nga Airbus , BAE Systems dhe Leonardo

Turqia, që po synon të forcojë fuqinë ajrore, po ashtu është duke zhvilluar avionët e saj luftues KAAN, në bashkëpunim me BAE./REL