Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një intervistë në Syri TV rrëfeu mbi akuzat ndaj për korrupsion mbi inceneratorët, përplasjen me Kryeministrin Edi Rama, ndjekjen politike nga SPAK-u si dhe konspiracionin e shpërndarë ndaj tij.
Ahmetaj gjithashtu foli edhe për pronarin e ri të inceneratorit të Tiranës, apo edhe kërcënimet që ka marrë.
Përplasja me Edi Ramën
Arben Ahmetaj tregoi kërcënimin e parë nga Rama e ka marrë gjatë një mbledhje të kryesisë së partisë.
Ahmetaj tha se në mbledhje Rama ka thënë që ai të “shkonte në të s’ëmës, se prish unitetin e partisë”.
“Dhe në mbledhje të kryesisë tha, u kërkoj ndjesë shqiptarëve, nënave dhe motrave, por edhe të gjithë qytetarëve, ka përdorur shprehjen; do të shkojë në të s’ëmës ai që prish unitetin e partisë. Kërcënimi i parë”-deklaroi Ahmetaj.
Përplasje e brendshme politike
Ahmetaj tha se teoria e konspiracionit që ai ka dorëzuar dosjen tek Ilir Meta dhe ambasada amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj, Belinda Balluku.
Ish-zv.kryeministri shtoi më tej se këtë konspiracion Rama e përdori për ti vënë kapak çështjes së inceneratorëve.
“Teoria e konspiracioni që unë kam dorëzuar dosjen tek Ilir Meta dhe ambasada amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe unë nuk e besoj se Edi Rama e ka besuar, sepse është më i zgjuar se kaq. Këtë histori e ka besuar Lefter Koka dhe Mirel Mërtiri. Dosja dihet publikisht ka qenë pjesë e hetimit të KLSH-së. Por kjo u përdor si justifikim për të gjetur kokën e turkut. Cila ishte koka e turkut? Ishte një njeri që e ka pranuar që ishte mik me Mirel Mërtirin. Po mirë, po ky s’ka marrë pjesë në procedura, por ky nuk ka firmosur. Po ca na duhet se s’ka firmosur. Ne do ta ndërtojmë goditjen e këtij njeriu dal e nga dal, në mënyrë që nxjerrja në pritë politike, të kthehet në vrasje juridike. Dhe cilat janë hapat. Filloi gjithë tymnaja, jo ka dhënë jo nuk ka dhënë dosjen. Unë nuk e mora seriozisht në momentin e parë që e dëgjova. Ish miq të mi mundoheshin në tryeza ta thonin kështu me keqardhje; po si ka mundësi që ky Ben Ahmetaj ja dha dosjen Ilir Metës dhe ambasadës së SHBA. Dmth sikur i vinte keq për mua, si të habitur. Një kultivim i një konspiracioni të gjatë, nuk e besoj se Ed Rama e ka besuar këtë, por Ed Rama e ka përdorur këtë kundër meje për të gjetur një njeri, që sipas tij ti vejë tapë çështjes së inceneratorëve”-deklaroi Ahmetaj.
Biznesmeni i ri i inceneratorit të Tiranës
Ahmetaj deklaroi tha se biznesmeni shqiptaro-zvicerian, Besim Hoxhaj i mori inceneratorin e Tiranës, Mirel Mërtirit.
“Po kthehem tek inceneratori i Tiranës. Në atë intervistë kam thënë, ndiq paratë. Sot unë kam një besim shumë të palëkundur se, në raport me inceneratorin e Tiranës, Mërtiri është viktimë”-tha Ahmetaj.
Ai kërkoi që të investigohej biznesmeni Besim Hoxhaj lidhjet e tij me ARMO-n dhe si qëndron ai pas inceneratorit të Tiranës.
Ahmetaj theksoi se Veliaj është pronar faktik pasi vendosi se cili biznesmen duhet të çojë mbetje në landfill dhe kush nuk duhet të çojë.
“Besim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri.
Çfarë është ky biznesmen. Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri. Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai, sipas letrave që ka nxjerrë Këlliçi. Unë u habita kur i lexova letrat e Këlliçit dhe po bëja pazëllin, kush qëndron pas këtij njeriu. Këto janë arsyeja pse unë mund të jem kërcënuar dhe do të vazhdoj të kërcënohem edhe pas kësaj interviste. Po, burri njëherë vdes. Kush e ka 40%. Po 20% në parajsat fiskale kush e ka. Mirel Mërtirin e kanë zhdukur nga Shqipëria këta që të them unë për t’i marrë biznesin dhe ia kanë marrë. Mireli tek intervista me ju, ju referua për mua me të drejtë, konceptit të pronarit faktik”-tha ndër të tjera Ahmetaj.
Veliaj pronar faktik i inceneratorit
Ahmetaj akuzoi Erion Veliajn, si pronar faktik të inceneratorit të Tiranës pasi nëpërmjet veprimeve të tij urdhëruese që x apo y kompani të mos paguajë e bën atë pronar faktik.
“Erion Veliaj a e ka urdhëruar inceneratorin e Tiranës, landfillin e Tiranës që x, y, kompani të mos paguajë. A nuk është kjo veprim i një pronari faktik. Pse dy standarde gjithandej”-deklaroi Ahmetaj.
Afera e inceneratorëve shkon lart
Ahmetaj deklaroi se nëse SPAK do të hetojë siç duhet dhe do të ndjekë paratë, shqiptarët do të llahtarisen se deri ku shkon afera e inceneratorëve.
“Po qe se do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Po sigurisht që SPAK nuk e bën këtë. Unë thashë, ‘ndiq paratë’. Unë isha i akuzuar nga opinioni publik pra, në populizmin penal shqiptar, unë po goditesha me gurë nga dritaret e Top Channel, apo nga të gjitha mediat e paguara nga inceneratorët. Mercenarë, vullnetarë, të paguar, të sponsorizuar, të gjithë. Unë habitem se si, kur del nëpër letra se je paguar nga inceneratorët dhe të dalësh të bësh sikur po lufton korrupsioni është çmenduri. Megjithatë ky është një diskutim dhe kapitull tjetër. Pra, po të hetohet Tirana, shqiptarët nuk do të habiten, por të llahtarisen. Do të shkojë shumë lart”-deklaroi Ahmetaj.
Kërcënimet
Arben Ahmetaj tregoi edhe për kërcënimet që ka marrë. Ai tha se është kërcënuar tre herë, një herë me një telefonatë nga burgu dhe dy herë live. Ahmetaj ka treguar se, për këto kërcënime ka informuar edhe shërbimet e huaja.
“Jam kërcënuar tre herë nga njerëz të panjohur. Njëherë në telefon nga burgu. Po. Dhe dy herë drejtpërsëdrejti. Të jem i sinqertë kur kërcënimi kaloi te gruaja që mbante fëmijën tim, me fëmijën tim tek liqeni, nuk e lashë më të më ikte si me demek trim i madh unë se shkoi te fëmija. Hera e fundit ka qenë tek rrethi tek liqeni, ku kisha shtëpinë me qira. Kanë qenë kërcënime të frymëzuara politikisht. Të thotë kryeministri të vejë të s’ëmës dhe pastaj të dalë e të thotë se po të isha unë gjykatës e prokurori, do ishte më keq, sigurisht për çfarë do më kërcënonin mua. Këtë e kam ndarë me shumë shërbime”-tha Ahmetaj./ Hashtag.al