Vendosni fjalën kyçe....

Sindikatat e fermerëve francezë pezullojnë protestat pas ofertës së qeverisë


Dy sindikatat e mëdha të fermerëve të Francës njoftuan të enjten vendimin e tyre për të pezulluar protestat dhe për të hequr bllokadat e rrugëve në të gjithë vendin, në një zhvillim dramatik menjëherë pasi kryeministri francez zbuloi një grup të ri masash që ata i shohin si “progres të prekshëm”.

Fermerët kanë protestuar prej ditësh në të gjithë vendin për të denoncuar pagat e ulëta, rregullimin e rëndë dhe konkurrencën e pandershme nga jashtë.

Presidenti i sindikatës së Fermerëve të Rinj, Arnaud Gaillot, foli së bashku me kreun e sindikatës më të madhe të fermerëve të Francës FNSEA të enjten dhe tha: “Ne u bëjmë thirrje anëtarëve tanë të pezullojnë bllokadat”.

“Ne jemi dëgjuar për një numër pikash, me përparim të prekshëm”, duke përfshirë masat urgjente për të mbështetur financiarisht fermerët dhe prodhuesit e verës në vështirësi, tha shefi i FNSEA, Arnaud Rousseau.

Më herët të enjten, kryeministri Gabriel Attal njoftoi një sërë masash të reja, në krye të premtimeve të tjera të bëra ditët e fundit.

Fermerë në një autostradë të bllokuar shikojnë kryeministrin francez Gabriel Attal duke shpallur masat e reja për fermerët | Foto: Christophe Ena/© 2024 The AP.

Fjalimi i tij erdhi ndërsa autokolonat me qindra fermerë të zemëruar që ngasin traktorë të rëndë krijuan kaos jashtë selisë së Bashkimit Evropian, duke kërkuar nga udhëheqësit në një samit të BE-së të ofrojnë lehtësim nga rritja e çmimeve dhe burokracia.

“Pyetja po shtrohet aktualisht në të gjithë Evropën: a ka të ardhme për bujqësinë tonë? Sigurisht, përgjigja është po,” tha Attal.

Në bllokadat e rrugëve në të gjithë Francën, protestuesit ndoqën fjalimin në telefonat inteligjentë dhe televizorët që kishin vendosur. Të enjten në mëngjes kishte barrikada trafiku në tetë autostrada rreth Parisit mes një pranie të madhe policie.

Attal premtoi se nuk do të ketë ndalim të ri të pesticideve “pa zgjidhje” dhe tha se asnjë pesticid nuk do të ndalohet në Francë që janë të autorizuar diku tjetër në BE.

Deklarata ishte në përgjigje të një kërkese të fermerëve francezë të zemëruar se Franca i rregullon produktet pesticide në mënyrë më strikte sesa vendet fqinje.

Attal njoftoi gjithashtu se Franca po ndalon menjëherë importet e frutave dhe perimeve që vijnë nga jashtë BE-së që janë trajtuar me Thiaclopride, një insekticid i ndaluar aktualisht në bllok.

Franca do të propozojë krijimin e një “force kontrolli evropian” për të luftuar mashtrimin, tha ai, veçanërisht në lidhje me rregulloret shëndetësore dhe luftën kundër importit të produkteve ushqimore që bien ndesh me standardet shëndetësore evropiane dhe franceze.

Attal ripohoi se Franca do të mbetet kundër nënshkrimit të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë nga BE me grupin tregtar Mercosur.

“Nuk bëhet fjalë që Franca ta pranojë këtë traktat”, tha ai.

Qëllimet e qeverisë me masat e shpallura rishtazi janë “të kthejë vlerën e ushqimit” dhe “të rrisë të ardhurat e fermerëve, t’i mbrojë ata nga konkurrenca e pandershme dhe të thjeshtojë jetën e tyre të përditshme”, tha ai.

Attal njoftoi gjithashtu 150 milionë euro ndihmë për fermerët blegtoral dhe një ulje të taksave për fermat që transferohen nga gjeneratat e vjetra tek ato të reja.

Ministri i Bujqësisë Marc Fesneau, ndërkohë, njoftoi një paketë prej 2 miliardë eurosh për të dhënë kredi për ata që po ngrihen si fermerë.

Qeveria franceze ka dyfishuar gjithashtu numrin e kontrolleve për të sanksionuar grupet industriale ushqimore dhe supermarketet që nuk respektojnë një ligj të vitit 2018 që synon të sigurojë që fermerët të paguhen me çmime të drejta. Kompanitë që nuk respektojnë mund të përballen me gjobë deri në 2% të të ardhurave të tyre nga shitjet.