Vendosni fjalën kyçe....

Dyshoi se Ukraina do rimarrë Krimenë, kritikohet ashpër presidenti polak


Presidenti i Polonisë deklaroi të shtunën se ai ka qenë gjithmonë i palëkundur në mbështetjen e tij për Ukrainën, pasi u kritikua ashpër për deklaratën se nuk ishte i sigurt nëse Kievi do ishte në gjendje të rimarrë kontrollin mbi Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Varshava ka qenë një nga mbështetësit më të vendosur të Kievit që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022 dhe ka thënë se Ukraina duhet të rimarrë kontrollin mbi të gjithë territorin e saj në mënyrë që të pengojë Moskën nga agresioni i mëtejshëm.

Presidenti Andrzej Duda e përsëriti këtë qëndrim gjatë një interviste në kanalin YouTube Kanal Zero vonë të premten. Megjithatë, kur u pyet nëse besonte se Ukraina do ishte vërtet në gjendje të rimarrë Krimenë, ai tha: “Është e vështirë për mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”.

“Unë nuk e di nëse Ukraina do e rimarrë Krimenë, por besoj se do rimarrë Donetsk dhe Luhansk,” tha ai.

Ai tha se gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi në vitin 2014, tetë vjet përpara se të niste pushtimin e saj në shkallë të plotë, “është një vend i veçantë…edhe për arsye historike. Sepse në fakt, nëse shikojmë historikisht, ai ishte në duart e Rusisë për shumicen e kohes.”

Pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore u morën gjithashtu nga forcat e mbështetura nga Moska në vitin 2014 dhe janë goditur gjatë rrjedhës së luftës aktuale, ndryshe nga Krimea.

Ukraina është zotuar të rimarrë çdo centimetër të territorit të saj, duke përfshirë Krimenë në luftën me Rusinë.

Ambasadori i Ukrainës në Poloni, Vasyl Zvarych, shkroi në X të shtunën se “Krimeja është Ukrainë: është dhe do të mbetet e tillë”.