Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit Flamur Noka tha sot se opozita nuk do dorëzohet dhe nuk do e lejojë kryeministrin Rama që të ketë një opozitë fasadë e të të eliminojë PD-në.
Në deklaratën e bërë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit ai tha se Rama ka burgosur udhëheqësin e opozitës e u përpoq të ekzekutojë PD-në përmes agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.
“Edi Rama kërkon të finalizojë operacionin e vjetër të Ramiz Alisë dhe etërve të tij biologjikë e shpirtërorë, që komunistëve të reformuar t’u japë komoditetin një ‘opozite me leje’, një opozitë si të Putinit, e cila lejohet sa për fasadë demokratike, por nuk lejohet të rrezikojë pushtetin. Në një kohë kur opozita ndodhet në sulmin e vazhdueshëm të regjimit për t’u asgjësuar dhe për t’u likujduar, ne jemi mbledhur për të dhënë një sinjal se opozita nuk nënshtrohet. Se PD, pavarësisht se cfarë do të bëjë dhe cfarë përpiqet të bëjë Edi Rama dhe regjimi do të ngadhënjejë mbi këtë regjim dhe ne do dalim për ta gjunjëzuar dhe rrëzuar atë. Dy janë goditjet më të rënda të një regjimi kundër një partie politike: Nxjerrja jashtë ligjit dhe, burgosja politike ose eleminimi i liderit. Këtë po bën ekzaktësisht Edi Rama dhe regjimi i tij. Ka nisur që me agjentin e dënuar të FBI-së, skema për eleminimin e Partisë Demokratike dhe shpalljen non grata të Sali Berishës, dhe po e përmbyll me SKAP-in e kapur, duke kërkuar burgosjen e liderit historik.” – tha Noka.
Ai ftoi më tej socialistët që t’i bashkohen PD-së për të përmbysur atë që ai e quajti regjimi i Edi Ramës duke theksuar se ajo që po bëhet nuk është betejë për Berishën e PD-në po për Shqipërinë. Noka paralajmëroi protestën e Rithemelimit të hënën para Parlamentit.
“Kështu që, ne demokratët u themi socialistëve se beteja për të burgosur Sali Berishën është përpjekja për të instaluar një njeri në pushtet. Kur të mbarojë punë me ne, ai do t’u kthehet ju, të vetëve, sic bëri Enver Hoxha. Ne nuk do ta lejojmë dhe ju ftojmë edhe ju të na bashkoheni. Kjo nuk është betejë për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike, por për Shqipërinë si vend normal, demokratik, pluralist, euro-atlantik. Kjo krizë kombëtare, ky hon i madh rreziku, që Edi Rama ka hapur si asnjëherë më parë ndërmjet palëve, duke kërkuar asgjësimin e opozitës, të kundërshtarit politik si armik, na fton që të ngrihemi. Të gjithë bashkë. Të hënën ne dalim në protestë te Parlamenti që Rama ka bllokuar, sepse ai është kuvendi i përfaqësuesve të popullit opozitar, të popullit shqiptar, jo të Lindës së radhës.” – shtoi Noka.
Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit tha gjithashtu se njësoj si SHBA-ja po dënon ish-agjentin e FBI-së McGonigal, njësoj duhet të jetë edhe fati i Ramës nga SPAK.
“Të hënën ne mblidhemi për t’i thënë shqiptarëve dhe botës se, pse Amerika e dënon McGonigalin për tradhti dhe korrupsion, por SPAK, kantautorin, bashkëautorin dhe bashkëfajtorin e agjentit të FBI, e lejon të dalë e të shesë dokrra, si luftëtar i anti-korrupsionit. Të hënën ne dalim për t’u thënë, për të njëmijtën herë, shqiptarëve dhe botës se, Edi Rama dhe Erion Veliaj janë pronarë faktikë të inceneratorëve dhe, se duhen hetuar si të tillë. Ne dalim për të mos lejuar që pushteti i Ramës të nxjerrë jashtë ligjit forcën e parë të pluralizmit, Partinë Demokratike. Për të mos lejuar që Rama i etërve të burgosë dhe dënojë, me këlyshët e rilindur të Sigurimit, liderin historic, jo vetëm të forcës sonë, por të pluralizmit shqiptar.” – tha Noka.