Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Roskovec: Data e përballjes së parë me qeverinë do jenë zgjedhjet e ardhshme


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Roskovec në kuadër të Kuvendit Zgjedhor të degëve të partisë.

Teksa u bëri thirrje anëtarëve të PD-së që të marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e kreut të degës së Roskovecit, Basha u shpreh i bindur se shumica e shqiptarëve duan ndryshimin e qeverisjes dhe tha se data e parë e përplasjes do të jetë ajo e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Data e parë e përplasjes do të jenë zgjedhjet e ardhshme. Përballja e kësaj qeverie me një shumicë shqiptarësh, edhe votues socialistë që ndoshta nuk duan të futen në debatet ideologjike por që e mallkojnë Edi Ramën dhe qeverisjen e tyre sepse po ua zbraz shtëpitë, duke ua larguar fëmijët në emigracion”- u shpreh Basha.

Për situatën që PD kalon prej dy vitesh, kryedemokrati duke thumbuar ish-kryeministrin Sali Berisha tha se pati një betejë për të ndarë përfundimisht nëse partia Demokratike është parti e një njeriu të vetëm apo parti e demokracisë.

“Ajo që kemi kaluar së bashku është momenti më i vështirë jo vetëm për PD-në. Por një luftë të tillë brenda llojit për shpirtin dhe zemrën e PD, për të ndarë një herë e mirë se cfarë është PD pronë e një njeriu të caktuar apo parti e demokracisë. Kjo betejë u shpalos me egërsi të madhe me propagandë të jashtëzakonshme që në një situatë normale do ta shpërbënin PD-në. 

Merita që qëndroi nuk i takon askujt në veçanti por u takon juve këtu gjithë bashkë. Ju qëndruat në një kohë jo normale dhe kjo u bën lider, kapitenë të moralit dhe qëndresës që nuk bëtë llogaritë tuaja të vogla por menduat gjithçka përtej interesit personal”– u shpreh Basha.

Sipas Bashës, PD është i vetmi faktor politik të cilit qeveria i trembet ndërsa u shpreh se ka përfunduar hartimi i programit të qeverisjes.

“I vetmi faktor politik të cilit i tremben është partia Demokratike e Shqipërisë. PD ka përfunduar hartimin e programit të vetë qeverisës, asnjë shtresë shoqërore nuk është mënjanuar në këtë program. Ekspertët tonë më të mirë të Gjermanisë dhe SHBA-ve po bëjnë rishikimin dhe ndihmën në mënyrë që ky program të jetë në përputhshmëri të plotë me objektivat tona”– shtoi ai.