Vendosni fjalën kyçe....

BE: Çështja e institucioneve të udhëhequra nga Serbia në Kosovë të zgjidhet me dialog


Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të dielën se ndihet i shqetësuar për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë së fundmi, dhe i ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që këtë çështje ta zgjidhin në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.

Në javët e fundit, autoritetet kosovare i mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 2 shkurt pas mbylljes së tyre se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

Në një komunikatë për media të dielën, BE-ja tha se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e mbështeti reagimin e BE-së dhe tha se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”, dhe se ato janë “e kundërta e uljes së tensioneve”.

Në fund të janarit, Sveçla njoftoi edhe për bastisjen e një organizate joqeveritare serbe e vendosur në një anesk ndërtesës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, për siç tha, veprimtari të jashtëligjshme dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar plotësisht.

BE-ja i bëri thirrje Kosovës që çështjen e komunave paralele, që ndërlidhen me themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, ta diskutojë në dialogun e udhëhequr nga blloku 27-anëtarësh.

“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në komunikatë.

Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draft-statutin për themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e pranuan në parim.

Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.

Ai sugjeroi që ta shkruajë në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe atë të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi.

Më pas, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina duhet të shkruajë një statut në bashkëpunim me SHBA-në.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës t’i shmangë veprimet “e njëanshme të cilat mund të nxisin tensione dhe të adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Të shtunën vonë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe, janë duke rritur panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL