Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënohet gjyqtarja e Antimafias në Leçe të Italisë, gjeti një kokë të përgjakur dhie para derës


Një kokë dhie e përgjakur me një teh të ngulur në të u gjet para derës së shtëpisë së Maria Francesca Mariano, gjyqtare e antimafias në Leçe të Italisë, natën mes së enjtes dhe të premtes.

Sipas mediave italiane, ky veprim është cilësuar nga autoritetet italiane si një kërcënim mafioz drejtuar gjyqtares, e cila tashmë prej disa muajsh është nën mbrojtje pasi kishte marrë disa letra kërcënuese.

Kërcënimet ndaj Maria Francesca Mariano me letra frikësuese të shkruara dhe të dorëzuara me dorë, filluan të ndodhnin pas hetimeve antimafia që çuan në arrestimin e 22 personave që konsideroheshin se i përkisnin klanit Lamendola-Cantanna të lidhur me Sacra Corona Unita më 17 korrik.

Mariano, gjyqtare për hetimet paraprake, ka firmosur urdhrat e masës së sigurimit. Bashkë me të nën mbrojtjen e policisë është edhe prokurorja përgjegjëse për atë hetim, Carmen Ruggiero.