Policia e Mirditës ka arrestuar një 22-vjeçar, pasi ishte në kërkim nga autoritetet italiane.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet G. J.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hidden”, i zhvilluar nga Fast Albania, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve DVP Lezhë dhe në koordinim me Interpol Tirana. Kapet dhe vihet në pranga një 22-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane, i cili fshihej në Mirditë. 22-vjeçari i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën policore se këta shtetas fshihen duke u strehuar në territorin e qarkut Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë si dhe në bashkëpunim e koordinim të punës me njësinë speciale për kapjen e shtetasve në kërkim “FAST Albania”, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hidden”
Si rezultat, në një banesë në Rrëshen, kanë kapur dhe arrestuar në mënyrë provizore me qëllim ekstradimi, shtetasin G. J. 22 vjeç, banues në Mirditë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, Gjykata e hetimeve paraprake në Milano, Itali, me vendim penal të datës 03.11.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, i akuzuar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike’ kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal Italian. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.