Vendosni fjalën kyçe....

Testi i gjakut mund të përcaktojë diagnozën me Alcajmer


Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar po u bëjnë thirrje institucioneve shëndetësore që të kryejnë një test të thjeshtë gjaku për të zbuluar fazat e hershme të sëmundjes (Alcajmer) Alzheimer, rezultate të cilat sipas tyre, janë po aq të sakta sa skanimi i trurit. Ky është përfundimi i një studimi 8-vjeçar nga shkencëtarët në SHBA, Kanada dhe Evropë.

Imran Sherwani është fitues i medaljes së artë të Lojrave Olimpike. Sportisti i lojës hokey përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në lojërat e Seulit në vitin 1988.

Familja e Sherwanit thotë se ai filloi të shfaqte shenjat e para të demencës në moshën 54-vjeçare, por simptomat e tij nuk u diagnostikuan deri në vitin 2019, katër vite më vonë.

Familja e tij shpreson që njerëzit të kenë mundësinë që të diagnostikohen herët, falë një testi gjaku për të cilin një studim i ri thotë se mund të zbulojë fazat e hershme të sëmundjes Alcajmer me të njëjtën saktësi sa skanimi i trurit.

Hulumtuesit thonë se ky test i lejon shkencëtarët që t’i kategorizojnë pacientët si ‘të mundshëm’, ‘të ndërmjetëm’ ose ‘të pamundur’ lidhur me

sëmundjen e Alcajmerit, duke identifikuar një proteinë në gjak që tregon ndryshime biologjike në tru që lidhen me sëmundjen.

Ilaçet e reja si ‘aducanumab’ dhe ‘lecanemab’, të miratuara nga rregullatori amerikan, tregojnë se ato ndihmojnë në ngadalësimin e sëmundjes Alcajmer. Asnjëri nga ilaçet nuk është në tregun britanik por do të vlerësohen më vonë këtë vit.

Zac, djali i zotit Sherwani, thotë se familja ishte e pafuqishme teksa theksoheshin simptomat e babait të tij, por nuk dinin si ta ndihmonin atë.

“E dinim që diçka nuk shkonte, por nuk kishim një diagnozë. Është e vështirë ta shohësh zbehjen e babait tënd, që nuk është në gjendje të bëjë gjërat që ka bërë më parë dhe të mos kesh një përgjigje. Është shumë e vështirë”, thotë Zac Sherwani.

Kur babai i tij u diagnostikua, Zac përshpejtoi martesën për t’u siguruar që i ati të ishte i pranishëm. Ai thotë se testi i gjakut mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm.

“Testi do t’i ndihmojë njerëzit që të planifikojnë, diçka që familja jonë nuk e përjetoi për katër vite. Një arritje e madhe”, thotë Zac.

Në studimin tetëvjeçar u përfshinë 700 pacientë në tre grupe ndërkombëtare.

Organizata bamirëse për hulumtimet “Alzheimer’s Research UK” thotë se nivelet e një proteine të quajtur p-tau217 në gjakun e pjesëmarrësve në studim pasqyronte nivelet e proteinave amiloid dhe tau që shihen në skanimet e trurit dhe nga kampionet e palcës së kurrizit tek pacientët me Alcajmer.

Dr. Susan Kohlhass, e cila drejton hulumtimet, thotë se janë të paktë pacientët që kanë qasje tek skanimet dhe analizat e palcës së kurrizit.

“Vetëm 2% e pacientëve në Mbretërinë e Bashkuar kanë qasje tek këto teste, ndaj, nëse jemi në gjendje t’i zëvendësojmë ato me teste gjaku që janë më të disponueshme dhe më të sakta, atëherë mund të sigurohemi që pacientët në nevojë mund të marrin atë trajtim sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Dr. Kohlhaas.

Profesori David Curtis nga Instituti i Gjenetikës me Kolegjin Universitar të Londrës thotë se nëse është i suksesshëm, testi mund të përdoret për t’i kontrolluar pacientët si një masë parandaluese.

Hulumtuesit thonë se nevojitet një studim më i thellë për testet e gjakut që kryhen çdo ditë nëpër sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën, përpara se të merret një miratim nga organet rregullatore, çka pritet të zgjasë deri në pesë vite, shkruan VOA.