Shoqata kombëtare e Autoshkollave i konsideron ndryshimet e çmimeve për marrjen e patentës një vendim tinëzar që do ta dëmtojë aktivitetin e tyre. Në Tiranë dhe Elbasan, një pjesë e autoshkollave kanë bojkotuar punën, duke protestuar në drejtoritë rajonale.
Kreu i shoqatës në Elbasan Alim Lulaj tha se vendimi për rritjen e tarifave, është bërë pa asnjë konsultim me grupet e interesit.
“Ky ndryshim është bërë në mënyrë tinëzare ( e fshehtë), pa marrë asnjë mendim nga grupet e interesit. Pa pyetur asnjë kryetarë shoqate, sekretarë apo ndonjë individ. Është propozuar më 27 dhjetor të vitit 2023, është miratuar dhe hynë sot më 5 shkurtë në fuqi. Neve na ka ardhur dy ditë më para lajmi” thotë Lutaj.
Më tej shton se me ndryshimet e reja një qytetar do të paguajë 15 mijë lekë(të reja) më shumë për tu pajisur me leje drejtimi
“Është afërsisht 150 mijë lekë të vjetra shtesë mbi tarifën ekzistuese. Na cenon, sepse nuk afrohet qytetari. Si themi dot qytetarit sill 10 mijë lekë më shumë të vjetra, jo më 150 mijë lekë. Në qoftë se unë si qytetarë paguaja më parë 10 mijë lekë të vjetra për një leje ushtrim profesioni, tani unë duhet të paguaj 20 mijë lekë për teori dhe 28 mijë lekë (të vjetra) për praktikën. Për çdo riprovim qytetari paguante 4 mijë lekë teori, tani do paguaj 12 mijë lekë, dhe për çdo riprovim në praktikë do të paguaj 22 mijë lekë, nga 5 mijë lekë që paguante. Drejtoria ka deklaruar në rrjetet vetëm 10 mijë lekë shtesë të patentës, domethënë nga 80 mijë lekë, patenta bëhet 90-të” thotë kreu i shoqatës së autoshkollave në Elbasan
Për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, këto pretendimeve janë të vetëm të disa prej autoshkollave, ndërsa mohon të ketë pasur bojkot të punës.
“Gjatë ditës së sotme, pjesëmarrja për regjistrime, testime teorike dhe praktike, ritestime, rinovim leje drejtimi si dhe për çdo shërbim tjetër që ofrohet pranë sporteleve tona, është e njëjtë me çdo ditë tjetër pune”
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor mohon të ketë rritje të çmimeve që sipas tyre është rishikim dhe indeksim të tarifave të shërbimeve të lejedrejtimit, të cilat nuk ishin ndryshuar prej 23 vitesh.
Drejtuesit e autoshkollave në Elbasan thonë se ndryshimet e fundit në çmim do i çojnë drejt falimentit, ndërsa paralajmërojnë protesta të përshkallëzuara në ditët në vijim
TABELË NDRYSHIMET E ÇMIMEVE
Regjistrimi për provimin e teorisë 1000 bëhet 2000 lekë
Regjistrimi për provimin e praktikës 1000 bëhet 1800 lekë
Riprovimi i njohurive praktike (kategoria B) 500 bëhet 2200 lekë
Riprovimi i njohurive praktike (shtesë) 600 bëhet 2800 lekë
Rimarrja e patentës pas humbjes së pikëve 3000 bëhet 5000 lekë
Pajisja me lejedrejtim 3500 (10 vite) bëhet 4500 lekë (15 vjet)
Pajisja me lejedrejtim ndërkombëtare 500 (1 vit) bëhet 1000 lek (3 vite)