Vendosni fjalën kyçe....

“Societe Generale” do shkurtojë 900 vende pune në selinë e Parisit


 “Societe Generale”, pritet të shkurtojë rreth 900 vende pune në selinë e saj në Paris përmes largimeve vullnetare, tha të hënën banka e tretë më e madhe franceze, duke shtuar një valë të humbjeve të vendeve të punës në industrinë financiare globale.

Shkurtimet e planifikuara, të cilat do t’i dorëzohen sindikatave të “SocGen”, përfaqësojnë më pak se 2% të forcës së punës të bankës dhe rreth 5% të stafit në selinë e saj.

“Objektivi është grupimi dhe bashkimi i aktiviteteve dhe funksioneve të caktuara, heqja e shtresave hierarkike për të thjeshtuar vendimmarrjen dhe ndryshimi i madhësisë së ekipeve të caktuara për shkak të rishikimeve të projekteve ose proceseve,” thuhet në deklaratën e “SocGen”.

Humbjet e vendeve të punës vijnë pasi kreu i “SocGen” Slawomir Krupa kërkon rreth 1.7 miliardë euro në kursime bruto deri në vitin 2026, duke u shoqëruar me lëvizje të ngjashme në banka të tjera globale.

“Deutsche Bank”, këtë muaj tha se do të shkurtonte 3,500 vende pune, ndërsa banka amerikane “Citi”, në janar tha se do shkurtonte 20,000 vende pune në dy vitet e ardhshme.

“SocGen” punëson rreth 52,000 njerëz në Francë dhe 112,000 në mbarë botën, sipas raportit financiar gjysmëvjeçar të vitit 2023.