Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e kryetares së Kushtetueses, pikat kyçe


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, u shfaq mëngjesin e sotëm në konferencë shtypi.

Dalja e saj vjen pas disa vendimeve të institucionit të drejtuar prej saj për disa çështje të ndjeshme për opinionin publik e opozitën që kanë çuar në akuza ndaj saj.

Para pjesës së dytë të konferencësm që iu kushtua pyetjeve të gazetarëve, Zaçaj, lexoi raportin që kishte përpara duke theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka stok çështjesh ndryshe nga gjykatat e tjera dhe se kishte rritur transparencën për publikun.

Pjesa e parë

“Kemi rritur transparencën përmes transmetimit të sencave drejtpërdrejt si dhe hapjen  e faqes së Gjykatës Kushtetuese në Facebook. Guida e udhërrëfyesit të jurisprudencës ishte diçka e munguar dhe një element tejet i rëndësishëm. Gjykata Kushtetuese gjatë vitit në vijim do organizojë tryeza me diskutime të natyrës kushtetuese. Një tjetër nismë ka qenë sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve. Kemi pasur 452 kërkesa përgjatë 2023 në Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë nuk ka stok të çështjeve të prapambetura si gjykatat e tjera. 6 vendime janë kërkesa të paraqitura nga një grup deputetesh, 3 nga organizatat, 2 nga gjykatat dhe 59 nga individë. Ndërkohë, 30 vendime janë marrë unanimisht, ndërsa 40 me shumicë votash. Edhe pse me buxhet te pamjaftueshëm, Gjykata mori disa nisma për disa drejtime. Miratoi rregullore për funksionimin e gjykatës. Miratoi rregulloren për komunikimin e gjykatës me mediat.” – tha Zaçaj.

Pjesa e dytë

Pas raportit Zaçaj iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që ishin në sallë.

Ndër çështjet e ngritura nga përfaqësuesit e medias ishte rasti Beleri, mandati i deputetes së PS-së Olta Xhaçka e marrëveshja e emigrantëve me Italinë e presioni politik në vendimet e marra.

Ndërkohë që pati edhe pyetje të tipit “nëse ishte ndjerë e paragjykuar si femër në krye të Gjykatës Kushtetuse” apo ajo e pagave të anëtarëve të institucionit.

Lidhur me rastin Beleri, Zaçaj tha se çështja ishte në shqyrtim të dokumenteve dhe  sapo të përfundojë do kalojë në seancë.

“Më 28 shtator 2023 gjykata ka marrë në shqyrtim çështjen e Fredi Belerit dhe ka vendosur kalimin në seancë mbi bazë dokumentesh. Nuk kemi nisur ende, jemi duke shqyrtuar ende çështje që janë të majit 2023. Dosja është duke u përgatitur. Janë duke u marrë materialet. Në rastin kur relatori është gati, kërkon datën dhe më pas çështja vjen në seancë. Nuk kemi kërkesë për pëshpejtim nga palët e përfshira në proces. Dy kërkesat e tjera janë paraqitur më 3 janar dhe 10 janar 2024.” – tha Zaçaj.

Për mandatin e Olta Xhaçkës ajo fshikulloi Kuvendin duke thënë se ishte e paimagjinueshme që të vihej në dyshim zbatimi i venndimeve të Gjykatës Kushtetuese, teksa pohoi se gjykata nuk ka mekanizma për të siguruar zbatimin e tyre.

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Duke patur formën e ligjit dhe duke mos patur asnjë ekuivok për të mos u zbatuar, gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për të kontrolluar zbatueshmërinë e vendimeve.” – tha Zaçaj.

Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët, e cila u miratua nga Kushtetuesja pak ditë më parë e solli akuza të ashpra nga Gazment Bardhi i PD-së, ishte bërë në respekt të ligjit e Kushtetutës, tha shefja e gjykatës.

“Vendimi po punohet. Do i përmbahem deklaratës për shtyp. Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar për zonat që jepen në administrim të shtetit italian. Juridiksioni ekstraterritorial që vijnë nga konventat ndërkombëtare, këtë e pranuam si diçka taktike që ndodh, sepse marrëveshja është e në një rang hierarkik më të ulët se Kushtetuta. Juridiksioni që vjen nga Kushtetuta, vijon të mbetet dhe nuk vihet në diskutim.” – tha ajo.

Për sa i përket çështjes së drejtimit të Kushtetueses nga një grua ajo tha se nuk ndjehej aspak e paragjykuar dhe se kishte tashmë një traditë në këtë drejtim.

Ndërsa lidhur me presionin politik ajo tha se gjykatës i duhet ndonjëherë të marrë vendime që nuk janë shumë popullore, megjithatë çdo bëhej në respekt të ligjit. /Hashtag.al