Kredia e re për ekonominë shënoi një vlerë rekord prej më shumë se 45 miliardë lekësh në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vlera e kredisë së re u rrit me 47.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kredia e re e disbursuar gjatë dhjetorit përfaqëson vlerën më të lartë historike të kredisë mujore të dhënë nga sektori bankar.
Rritja e fortë e muajit dhjetor pati gjithashtu një ndikim të ndjeshëm në shifrat përfundimtare vjetore. Për të gjithë vitin 2023, kredia e re arriti gjithashtu vlerën rekord të pothuajse 319 miliardë lekëve, në rritje me 14.5% krahasuar me vitin 2022. Rritja vjetore e kredisë së re gjithashtu u përmirësua ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 5.3% të vitit të mëparshëm.
Megjithëse shifrat e kredisë së re duhen interpretuar me kujdes, duke qenë se ato përfshijnë edhe rifinancime të kredive të maturuara ose zhvendosje të kredive ekzistuese në banka të tjera, të dhënat tregojnë se kreditimi e mbylli vitin e kaluar me një ecuri suprizuese dhe me një rritje përtej pritshmërive, në kushtet e një ekonomie në ngadalësim dhe normave më të larta të interesit.
Ekspertët mendojnë se pikërisht frenimi i rritjes së normave të interesit vitin e kaluar ka mbështetur një rritje me ritme relativisht të larta të kredisë. Banka e Shqipërisë e rriti vetëm dy herë normën bazë gjatë vitit 2023 dhe ky tregues ngelet në nivelin 3.25%, ndër më të ulëtit në Europë dhe ndjeshëm poshtë asaj që vlerësohet se është norma neutrale e interesit, çka nënkupton se normat e interesit janë ende në një territor stimulues.
Jo rastësisht rritja e kredisë së re erdhi e gjitha në Lekë. Vitin e kaluar sektori bankar disbursoi 179.7 miliardë lekë kredi të reja në monedhën vendase, me rritje prej pothuajse 35% krahasuar me një vit më parë. Veç kredidhënies së re, shifrat e kredisë në lekë përfshijnë edhe një vlerë të konsiderueshme të huave në valutë që kredimarrëst vendosin t’i konvertojnë në monedhën vendase, për shkak të kursit të ulët të këmbimit dhe normave më të favorshme të interesit.
Sipas segmenteve kryesore të tregut, kredia e re shënoi rritje si për ndërmarrjet private, ashtu edhe për individët.
Kredia e re për bizneset vitin e kaluar arriti vlerën e 217 miliardë lekëve, në rritje me 16% krahasuar me vitin 2022.
Edhe kredia për individët vazhdoi rritjen dhe arriti një vlerë vjetore disbursimesh prej 91.9 miliardë lekësh, në rritje me 7.1% krahasuar me vitin 2022.
Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të vitit 2023 arriti vlerën e 743.7 miliardë lekëve. Vetëm gjatë muajit dhjetor, vlera e portofolit u rrit me më shumë se 21 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore portofoli total i kredisë u rrit me 4.2%. Rritja e portofolit u ngadalësua disi krahasuar me nivelin prej 7.1% të vitit 2022, por kjo erdhi kryesisht si rezultat i efektit të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të Euros në raport me Lekun.
Rritja vjetore e portofolit total për bizneset ishte 2.5%, ndërsa individët 8.7%. Me gjithë një ngadalësim të rritjes së kredisë së re, portofoli i individëve vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes vjetore, për shkak të një strukture më të qëndrueshme, të mbështetur sidomos tek kreditë afatgjata për blerje banesash.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor