Fermerët grekë hodhën gështenja dhe mollë në trotuar jashtë një panairi bujqësor të shtunën dhe premtuan të përshkallëzojnë protestat pas një takimi të së martës.
Fermerët ishin nga rajoni i Thesalisë, në Greqinë qendrore. Në muajt e fundit, protesta të ngjashme kanë përfshirë Evropën ku fermerët kanë vendosur të dalin në rrugë për ankesat e tyre në lidhje me nflacionin, konkurrencën e huaj dhe kostot e luftimit të ndryshimeve klimatike, shkruajnë mediat greke.
“Miliona eurot që kryeministri thotë se po na jep për të ulur kostot e prodhimit janë një gjë e vogël”, tha një drejtues i federatës së fermerëve nga Thesalia, duke iu referuar premtimeve për mbështetje nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Kryeministri nuk tha asgjë për humbjen e të ardhurave nga Politika e Përbashkët Bujqësore (e Bashkimit Evropian). Nëse do që ne të qëndrojmë në Greqi dhe të mos emigrojmë, duhet të na zgjidhë problemet”, shtoi ai.
Fermerët nga Thesalia u larguan pas protestës së tyre, ndërsa ata nga Greqia veriore dolën me traktorë të dielën. Por ata, dhe të tjerë nga e gjithë Greqia, do të takohen të martën dhe ka të ngjarë të vendosin të përshkallëzojnë protestat e tyre, duke përfshirë bllokimin e autostradave. “Gjëja e fundit që na intereson është një takim me kryeministrin”, u shprehën protestuesit.