Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka kritikuar qasjen e presidentit amerikan Biden ndaj luftës së Izraelit në Gaza, duke argumentuar se gjendja do ishte “krejt ndryshe” nëse ish-presidenti Donald Trump do ishte në pushtet.
“Në vend që të na japë mbështetjen e tij të plotë, Biden është i zënë me dhënien e ndihmës humanitare dhe karburantit për Gazën, që shkon në Hamas”, tha Ben-Gvir për Wall Street Journal të dielën.
“Nëse Trump do ishte në pushtet, sjellja e SHBA-së do të ishte krejtësisht ndryshe.”
Që nga fillimi i përplasjes ushtarake, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, i cili la rreth 1200 izraelitë të vdekur dhe mbi 200 të marrë peng, Shtetet e Bashkuara u zotuan t’i japin Izraelit “çfarëdo që i nevojitet” për të arritur qëllimet e tij ushtarake, por në mënyrë të përsëritur i kërkoi IDF-së për të shmangur dëmtimin e civilëve palestinezë.
Vërejtjet e Ben-Gvir tërhoqën kritika nga politikanët izraelitë, me disa që akuzuan ministrin për dëmtim të “marrëdhënieve strategjike të Izraelit” dhe e quajtën intervistën “një goditje të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve të luftës”.
Kryetarja e Partisë Laburiste Merav Michaeli i interpretoi komentet si një “ndërhyrje të hapur dhe të qëllimshme në fushatën zgjedhore amerikane” dhe i kërkoi kryeministrit Netanyahu të shkarkonte ministrin.
“Nëse Netanyahu nuk shkarkon Ben-Gvir, është e barabartë me miratimin pa rezerva të vërejtjeve të tij. Askush askund nuk do besojë se një ministër i qeverisë do guxonte të bënte komente të tilla të dëmshme dhe madje mosmirënjohëse pa pasur mbështetjen e kryeministrit të Izraelit,” tha ajo në një postim në X.
Netanyahu u përgjigj duke thënë se ai “nuk kishte nevojë për asnjë ndihmë në ecurinë e marrëdhënieve me SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar”, duke shtuar se qeveria izraelite merr vendimet e saj “madje edhe në ato raste kur nuk ka marrëveshje me miqtë tanë amerikanë. ”
Ministria e Jashtme palestineze i denoncoi komentet e Ben-Gvir si “raciste” dhe bëri thirrje për sanksione ndërkombëtare kundër tij.