Më 20 shkurt, opozita e Rithemelimit ka thirrur një protestë kombëtare. Ish-kryeministri Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë së tij shpjegoi arsyet pse kanë zgjedhur këtë datë, e cila është më tepër simbolike, pasi më 20 shkurt të 1991 është rrëzuar shtatorja e diktatorit Enver Hoxha.
Berisha:
“Të bashkohemi, natyrisht jo me tradhtarët. Ata meritojnë banesën e turpit të historisë. Ne duhet të bëjmë gjithçka, të bashkohemi në betejën tonë pa kthim! 20 shkurti ka një simbol të madh.
Për një gjeneratë të tërë domethënia është thjesht në fushën e juridiksionit, por në gjeneratën para tyre, përmbysja e shtatores së diktatorit më gjakatar ishte momenti magjik, momenti hyjnor kur opozita shqiptare u bë opozitë e vërtetë.
Ndaj dhe u zgjodh 20 shkurti për ditën e protestës së madhe, zvarritja e diktatorit pa diskutim ishte një hakmarrje e njerëzve të shtypur për kasaphanën e luftës së klasave, për gjëmën që u kishte bërë shqiptarë
Përmbysja e këtij regjimi është kusht i çdo kushti për të ardhmen e shqiptarëve dhe mbarë kombit.
Ndaj dhe ftesa ime për çdo qytetar shqiptar, më 20 shkurt në ditën e provës së madhe në Tiranë, në orën e fitores në Tiranë.
Thirrja ime për të gjithë shqiptarët kudo që janë në Evropë, në Amerikë dhe kudo, 20 shkurti ju fton në ditën e betejës së madhe, ditën e lirisë. O sot o kurrë të shpëtojmë Shqipërinë.”