Pallati Mbretëror ‘Buckingham’ njoftoi të hënën në mbrëmje se mbreti ka filluar trajtimin për një formë kanceri, pa treguar se për çfarë kanceri bëhet fjalë.
Ai u zbulua gjatë trajtimit të tij të fundit në spital për prostatë të zmadhuar, megjithëse kanceri nuk ka të bëjë me prostatën, por është një “çështje e veçantë”, tha pallati.
“Fatmirësisht, kjo është zbuluar herët”, tha Kryeministri Sunak për BBC, duke shtuar se si kryeministër ai do të “vazhdonte të komunikonte me të normalisht”.
“Shumë familje anembanë vendit janë prekur nga e njëjta gjë dhe ata e dinë se çfarë do të thotë”, tha zoti Sunak. “Pra, ne do të mendojmë për të dhe shpresojmë që ta kalojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Djali i vogël i mbretit, Princi Harry, i cili la detyrat mbretërore në vitin 2020, u transferua në Kaliforni dhe ka një marrëdhënie të trazuar me babanë e tij, ka folur me Mbretin Çarls për diagnozën dhe “do të udhëtojë për në Mbretërinë e Bashkuar për të parë Madhërinë e Tij në ditët në vijim, tha zyra e Harry-it dhe gruas së tij, Meghan. Mediat britanike raportuan se ai është nisur të martën nga Los Anxhelosi për në Britani.