Vendosni fjalën kyçe....

Aministia penale, Alibeaj depoziton në Kuvend propozimet e PD-së: Mbrojmë protestuesit e opozitës


Deputeti demokrat i grupit Basha, Alibeaj ka depozituar në Komisionin e Ligjeve propozimet e PD-së për aministinë penale.

Alibeaj theksoi se përmes amendamentit synohet të mbrohen protestuesit e opozitës në Astir, Bregun e Lumit, Shkozë që kundërshtuan prishjen e banesave, ata të Teatrit Kombëtar,  studentët dhe  protestuesit që dolën rrugëve në vrasjen e Klodian Rashës.

Propozimi i Alibeajt

“Në mbështetje të nenit 71, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të deputetit Enkelejd Alibeaj, në projektligjin “Për dhënie amnistie”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3, pika 1 shtohet shkronja ë) me përmbajtjen si vijon:

“ë) personat e dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të Kodit Penal, të kryera gjatë tubimeve ose protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020”.

Neni 2

Në nenin 4, pika 1, shkronja k) hiqet numri “237”.

Neni 3

Pas nenit 6, shtohet neni 6/1 me përmbajtjen si vijon:

“Neni 6/1

Dhënia e amnistisë nga ndjekja penale për protestuesit

Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”.