Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët protesta në mbarë Evropën kundër rregulloreve të BE-së, spanjollët u bashkohen


Fermerët spanjollë bllokuan disa autostrada kryesore në mbarë vendin të martën në atë që është protesta e fundit e punëtorëve bujqësorë në një vend evropian, kundër rritjes së kostove, taksave dhe burokracisë së Bashkimit Evropian (BE).

Protesta e fundit e fermerëve pasoi demonstrata të ngjashme në Gjermani, Francë, Itali, Belgjikë, Holandë e Rumani dhe vende të tjera të BE-së, me shumicën e zemërimit të tyre të drejtuar ndaj rregulloreve të BE-së që sipas tyre dëmtojnë aftësitë e tyre për të fituar jetesën në një treg tepër konkurrues.

“Pavarësisht nuancave të ndryshme, në gjithë BE-në, ne kemi të njëjtat probleme,” i tha televizionit kombëtar TVE, Donaciano Dujo, nënkryetar i grupit spanjoll që mbron të drejtat e fermerëve, ASAJA.

Përpara protestave të drejtuara nga sindikatat e planifikuara për të enjten, shumë fermerë mobilizuan traktorë në gjithë vendin të martën për të organizuar bllokada masive që bllokuan shumë rrugë trafiku në gjithë Spanjën.

Zonat e prekura përfshinin Seviljen dhe Granadën në jug të vendit deri në Girona në veri të vendit afër kufirit francez, tha Reuters, duke cituar autoritetet lokale të trafikut.

Kryesorja ndër ankesat e fermerëve është se politikat e BE-së të imponuara për të mbrojtur mjedisin dëmtojnë aftësitë e tyre për të konkurruar me prodhuesit bujqësorë nga Amerika Latine, ose nga vende jo anëtare të BE-së.

“Ne shpenzojmë më shumë kohë duke u marrë me dokumentet sesa në fushë,” i tha Reuters një fermere, Eva Garcia. Garcia shtoi se Politika e Përbashkët Bujqësore e BE-së “po na mbyt”.

Të martën, në atë që u pa si një lëshim nga Brukseli, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen tha se blloku synon të heqë një ligj të diskutueshëm të krijuar për të pakësuar përdorimin e pesticideve, duke e përshkruar legjislacionin si një “simbol polarizimi”.

Ndërkohë, gjithashtu të martën, Ministria spanjolle e Bujqësisë tha se do shpërndante një ndihmë shtesë prej 269 milionë eurosh për rreth 140,000 fermerë të prekur nga një thatësirë ​​e gjatë, si dhe për rënien e tregut të shkaktuar nga konflikti në Ukrainë.

Javën e kaluar, Katalonja shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të thatësirës trevjeçare, e cila ka ndikuar shumë në disa prodhime bujqësore.

Në Itali, fermerët janë mbledhur gjithashtu përpara një proteste të planifikuar në Romë më vonë këtë javë. Kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar mbështetjen e saj, megjithëse fermerët italianë kanë shprehur gjithashtu shqetësimin për planet e qeverisë për t’i dhënë fund subvencioneve tatimore të sektorit bujqësor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani