Vendosni fjalën kyçe....

Pas SHBA-së edhe BE-ja kundër Kurtit për heqjen e dinarit serb


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Petar Stano, ka thënë të mërkurën se Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit në bllok, për shkak të, siç i quajti ai, veprimeve në njëanshme të saj.

Ai i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përqendrohen në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet për të cilat janë pajtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kosova është kritikuar vazhdimisht së fundmi nga BE-ja, për shkak të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb për transaksione me para ta gatshme në gjithë vendin, si dhe për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Dragash dhe Pejë.

BE-ja i ka quajtur të njëanshme këto vendime dhe ka kërkuar që Kosova t’i zgjidhë këto çështje në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga ajo.

“Po shohim shumë gjëra për të cilat kemi reaguar, sidomos në rastin e Kosovës, me veprime të njëanshme që kanë krijuar shqetësim për ne. Kjo krijon frikë në anën tonë se Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa“, tha Stano.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 2022 dhe është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat.

Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha të mërkurën se gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, janë pajtuar se rregullorja e BQK-së për ndalimin e dinarit është në një periudhë tranzicioni.

Vendimi për heqjen e dinarit në Kosovë përkon me mbylljen e komunave paralele që punojnë në sistemin serb dhe janë të paligjshme për Kosovën.

Në dy javët e fundit janë mbyllur katër komuna paralele serbe në Dragash dhe në Pejë.

Stano tha se nuk sheh rrezik për bllokim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Stano, pavarësisht mungesës së përparimit në disa takimet e fundit.

“Dialogu po vazhdon dhe puna jonë po vazhdojmë për t’u ndihmojmë palëve që më në fund të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive dhe ato të lëvizin përpara. Nuk kemi frikë nga ndonjë bllokadë, në fakt ne nuk kemi frikë nga asgjë. Por, vetëm kem frikë që njerëzit në Kosovë dhe në Serbi të mbesin jashtë asaj që është për ta e rëndësishme, procesi i integrimit”, theksoi Stano.

Ai shtoi se “ne vazhdojmë punën tonë dhe përfaqësuesi i posaçëm Mirosllav Lajçak, si dhe përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell janë duke vazhduar punën me partnerët, si me ata në rajon ashtu edhe me ata në skenën ndërkombëtare, për të mundësuar të dyja palëve që të nisin të bëjnë hapa të cilat do t’u mundësonin avancimin në të gjitha çështjet në dialog… sidomos në zbatimin e gjithë asaj që është arritur vitin e shkuar si në Bruksel, ashtu edhe në Ohër”.

Sipas BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj në fillim të vitit 2023. Por, ato nuk janë duke u zbatuar, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL