Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton projektligjin, ministrja Manastirliu: 30 bursa në vit, bashkëpunim me Kosovën për arsimin e lartë 


Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj në fushën e arsimit të lartë, i cili parashikon disa bashkëpunime mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo marrëveshje mes dy vendeve pritet të thellojë marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e arsimit të lartë, përfshirë këtu edhe kërkimin shkencor.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastiliu tha se risi në këtë marrëveshje janë bursat që do të jepen nga dy vendet për 30 studentë në vit. Po ashtu, do ketë edhe lehtësim procedurash për njehsimin e diplomave, gradave apo titujve shkencorë.

“Përcakton një seri bashkëpunimesh me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe vendit tonë. Do thellohet bashkëpunimi në fushën e kërkimit të lartë. Thellimi i bashkëpunimit, ndarja dhe shkëmbimi i informacionit do jetë një tjetër komponent që do zhvillohet.

Një risi është programi i lëvizshmërisë se studentëve, ku do mundësohet dhënia e bursave. 30 bursa në vit për studentë që duan të studiojnë në Shqipëri në programe të ndryshme, do të ketë një proces vlerësimi që do përcaktojnë kriteret dhe procedurat.

Një tjetër komponent është sa i përket njohjes lehtësimit për njohjen e diplomave, gradave dhe titujve shkencor, pritet lehtësimi i procedurave. Mobiliteti i studentëve në të dy vendet është shumë i rëndësishëm. Nëpërmjet granteve që japim, inkurajojmë projekte të përbashkëta studimore, me qëllim që të vijojmë këtë bashkëpunim të suksesshëm”, u shpreh Manastirliu.

Marrëveshja pritet të kalojë në Kuvend për t’u ratifikuar.