Vendosni fjalën kyçe....

I vendosën lëndë plasëse zyrës së noterisë, gjykata lë në burg dy autorët e dyshuar, zbardhen dëshmitë


Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg Real Zefin dhe Korrado Katanan, të akuzuar si persona të cilët kanë vendosur lëndë plasëse në një zyrë noterie, në pronësi të Esmeralda Dautit.

Ndërkohë në seancë Katana ka mohuar dëshminë e dhënë në Prokurori, duke pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen, as të kemi marrëdhënie të tillë me Real Zefin. Deklaratat i kam bërë nën presion dhe pa praninë e avokatit”, ka deklaruar Korrado Katana.

Ndërsa Real Zefi përmes avokatit pranoi ligjshmërinë e ndalimit por jo vijimin e masës.

“Nuk mund të ketë një masë shtrënguese kaq të rëndë vetëm mbi thëniet e një personi, për më tepër kur ky shtetas ka ndryshuar qëndrim. Nuk provohet përfshirja në ngjarje dhe nuk është i arsyeshëm qëndrimi në burg.

Kërkoj lirimin kjo edhe për shkak të rrethanave familjare. Ka një fëmijë të mitur vetëm 2-vjeç me probleme shëndetësore si dhe bashkëshorten po me probleme shëndetësore që kanë nevojë për përkujdes”, tha Zefi.

Ngjarja ka ndodhur më datë 30.01.2024, në rrugën “Perlat Rexhepi”. Të njëjtët shtetas janë të dyshuar edhe për një ngjarje tjetër të ngjashme e ndodhur më 5 tetor të vitit të kaluar në rrugën “Prokop Mima”, ku në lokalin e shtetases Sh. Gj., është vendosur një sasi lënde eksplozive, ngjarje po ashtu e dyshuar se ka ndodhur përkundrejt pagesës.