Vendosni fjalën kyçe....

“Kur të ngrihet populli…” –  Noka paralajmëron socialistët


Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit Flamur Noka paralajmëroi kryeministrin Rama, kryetaren e Kuvendit Nikolla dhe ministrat se nuk do gjejnë qetësi as në shtëpitë  e tyre.

Në një deklaratë jashtë Kuvendit, pasi kishte qëlluar me mielle e vezë gardistët e makinën e ministrit Balla, ai tha se opozitarët do i qëllojë me vezë e domate kudo t’i shohin qeveritarët.

“Nikolla doli me ambulancë. Kryetarja e Kuvendit largohet me ambulancë. Ky është Kuvendi që të përjashtosh gjithë opozitën? Ka gjë më të rëndë që mund të ndodhë? Të kërkosh që të heshtin dhe mos të reagojnë. Ka parlament tjetër që ndodh kjo gjë përveçse të parlamentit i Edi Ramës dhe Lindës së Parlamentit? Ka vend ku pozita ushtron dhunë  ndaj opozitës si këtu në Shqipëri? Ku opozita kërkohet me çdo kusht, të arrestohet, të burgoset, të zhduket? A mund të na thotë dikush çfarë i ka ngelur opozitës.

Kjo që bëmë sot është një sinjal. Jo vezët, jo domatet, po asnjë nga narkoqeveria, narkokryeministri, Linda e parlamentit dhe të gjithë s’do të gjejnë paqe më në shtëpitë e tyre. Do të kenë vezë, domate  sa të dalin, në punë, kudo. Populli opozitar do t’i ndjekë. Ka kaluar çdo limit ku demokracia mund të pranojë. Tani e mbrapa është mosbindja civile. Ftoj çdo qytetar, kudo t’i shohin, t’i konsiderojnë  si armiq të demokracisë. Ku t’i shohin, t’i përbaltin dhe t’i përbuzin, me vezë e domate, me çdo gjë. Kjo është rruga e vetme. Një nga format e aksionit ky është. Kur ngrihet populli, nuk ka regjim, nuk ka narkoshtet, nuk ka McGonigal që i frenon.” – tha Noka.