Vendosni fjalën kyçe....

Përballja në OKB, Vuçiç: Heqja e dinarit ndëshkon popullatën serbe. Kurti: Bashkë me aleatët kemi ndërtuar shtet demokratik


Me kërkesë të Misionit të Serbisë në Kombet e Bashkuara ka nisur pak momente më parë seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohen lëvizjet e fundit të qeverisë së Kosovës, të cilat në kërkesën e Beogradit thuhet se janë “në kontrast të thellë” me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Ka qenë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili ka nisur fjalën e tij duke u shprehur se ky takim ka qenë i rëndësishëm për t’u thirrur për shkak se në Kosovë po kryhen veprime që bien ndesh me parimet e OKB.

Sipas tij vendimi për heqjen e dinarit serb po ndëshkon popullatën serbe në Kosovë, teksa listoi grupimet e popullatës serbe në Kosovë që preken nga ky vendim.

 “Regjimi i Prishtinës po ndalon mundësitë e popullatës serbe që të marrë shërbimet mjekësore, arsimore, etj. Albin Kurti është persekutor i serbëve. Në territorin e Kosovës dhe Metohisë janë kryer 669 sulme me motive etnike, që është një rritje prej 300 për qind. Do të theksoj një fakt të padiskutueshëm – është plotësisht e padiskutueshme se në territorin e Kosovës dhe Metohisë euro është futur si mjet i vetëm pagese në mënyrë të dukshme të kundërligjshme, sepse është bërë me vendim të njëanshëm të lidershipit politik në Prishtinë”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka replikuar me deklaratat e presidentit serb Vuçiç, duke thënë se është “disi ironike” t’i përgjigjet akuzave të rreme për abuzim me të drejtat e njeriut vendit që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të.

Kurti shtoi se Serbia po ashtu paraqet një nga rreziqet më të mëdha për stabilitetin rajonal, ndërsa rikujtoi se brutaliteti i serbëve në vitet ’90 në Kosovë ndryshoi ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut përgjithmonë.

“Është disi ironike t’i përgjigjesh akuzave të rreme për abuzim me të drejtat e njeriut një vendi që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të dhe një qeveria që është një nga rreziqet më të mëdha të stabilitetit në rajon. Qeveria serbe në vitet ’90 urdhëroi vrasje dhe kreu gjenocid në Kosovë. Brutaliteti i asaj që u krye ndryshoi ligjet ndërkombëtare përgjithmonë. Këshilli i Sigurimit ka krijuar Tribunalin e Hagës për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë, Bosnje e Kroaci. Ne kemi ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe kemi ndërtuar një shtet demokratik. Ne jemi krenar për një republikë për të gjithë ku sundon e drejta. Ne bashkë me aleatët kemi ndërtuar shtet demokratik”, tha Kurti.