Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Zgjedhores online, Alibeaj tregon me gisht Rithemelimin: Ju kërkoj ndjesë kolegë, s’na lanë


Pas dështimit të mbledhjes së kaluar për shkak të kaosit të deputetëve të Rithemelimit komisioni për Reformën Zgjedhore është mbledhur ‘online’ ditën e sotme në orën 10:30 në seancën ku do të diskutohen rekomandimet e përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile.

Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri tha se secili përfaqësues i organizatave do të ketë në dispozicion 15 minuta për të parashtruar të gjitha rekomandimet mbi Reformën Zgjedhore.

“Koha e limituar për cdo pjesëmarrës të mos i kalojë 15 minuta. Besoj është e mjaftueshme të adresohen të gjithë rekomandimet që keni”- u shpreh Gjiknuri.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj tha se mbledhja online ishte e vetmja mënyrë që përfaqësuesit e organizatave civile të mund të parashtrojnë rekomandimet e tyre për shkak se kaosi i deputetëve të Rithemelimit ka pamundësuar mbledhjet fizike.

“Iu kërkoj ndjesë për moszhvillimin e kësaj mbledhje disa ditë më parë, për arsye që tashmë dihen. Besoj kam mirëkuptimin tuaj dhe kjo është një mënyrë që do u japë mundësi të shprehni pikëpamjet tuaja mbi atë se çfarë duhet të diskutojë komisioni i Reformës Zgjedhore.  

E mira do të ishte që përveç përshkrimit të asaj se çfarë mendoni, të depozitoni në formë të shkruar materialet që do të prodhoni gjatë kësaj periudhe”–  tha Alibeaj.