Gazetari konservator amerikan Tucker Carlson ka publikuar një intervistë që ai zhvilloi me presidentin rus Putin në Kremlin të martën.
Intervista u përqëndrua kryesisht në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Megjithatë pati edhe shumë tema të tjera që u prekën edhe jasthtë sferës politike e ushtarake. Në një video në X të martën, Carlson pohoi se mediat perëndimore “gënjyen lexuesit dhe shikuesit e tyre” duke promovuar pozicionin e Kievit e duke minimizuar atë të Rusisë.
“Është gabim. Amerikanët kanë të drejtë të dinë gjithçka që munden për një luftë në të cilën janë të përfshirë”, tha ai.
Intervista zgjati më shumë se 120 minuta dhe u ndoq nga më shumë se 46 milionë shikues në llogarinë e Carlson në rrjetin social X dhe pak më pak se një milion shikime në YouTube në orët e para që nga publikimi i saj.
Më poshtë janë piketat kryesore të intervistës
Ukraina “e filloi luftën në vitin 2014. Qëllimi ynë është ta ndalojmë këtë luftë” – Putin
Moska nuk e filloi luftën në vitin 2022, por po përpiqet të ndalojë luftën që Ukraina filloi në vitin 2014, tha presidenti rus. Sipas Putin, ai e nisi atë që e quajti ‘operacioni soecial’ në Ukrainë më 24 shkurt 2022, pas tetë viteve të shtypjes së popullatës së Donbasit nga Kievi, nënvizoi kreu i Kremlinit.
Duke komentuar marrëveshjet e Minskut të 2014 dhe 2015 që synonin t’i jepnin fund armiqësive në Donbas, Putin tha se ai sinqerisht besonte se kriza në rajon mund të ishte zgjidhur nëse popullsia vendase do ishte bindur të kthehej në Ukrainë dhe nëse Kievi do pranonte të përmbushte angazhimet për mirëqenien sociale.
Politikëbërësit në Kiev, megjithatë, donin të shtypnin kryengritjen me forcë, shtoi ai. Rusia dhe Ukraina ishin afër përfundimit të armiqësive në ditët e para të konfliktit, tha Putin.
Megjithatë, sapo Moska tërhoqi trupat e saj nga zona afër kryeqytetit ukrainas në pranverën e vitit 2022, Kievi hoqi dorë nga diplomacia, sipas presidentit.
“Thjesht nxitje e kërcënimit” – Putin mbi pretendimet se Rusia dëshiron të sulmojë NATO-n
Rusia do përfshihej në një konflikt ushtarak me një vend të NATO-s si Polonia ose Letonia vetëm nëse sulmohet, tha Putin. Çdo pretendim perëndimor për të kundërtën është “thjesht kërcënim”.
“Spekulimet se Rusia do përdorte armë bërthamore kundër Ukrainës ose do shkaktonte një lloj përshkallëzimi të konfliktit janë “thjesht histori tmerri për njerëzit për të zhvatur para shtesë nga taksapaguesit amerikanë dhe taksapaguesit evropianë në konfrontimin me Rusinë”, pohoi ai.
“Ndryshe nga SHBA-ja, Rusia nuk ka frikë nga Kina”
Ndryshe nga SHBA-ja, Rusia nuk ka frikë nga ngritja e Kinës, tha Putin, duke e quajtur sugjerimin e Carlson-it se BRICS rrezikon të “dominohet plotësisht nga ekonomia kineze”.
Ai vazhdoi duke thënë se politika e jashtme e Pekinit synon të gjejë kompromise dhe jo agresion, duke shtuar se Rusia ka krijuar qarkullim të ekuilibruar tregtar me Kinën.
“Nëse doni t’i jepet fund konfliktit, ndaloni dërgimin e armëve në Ukrainë”
Nëse SHBA-ja dëshiron të ndalojë konfliktin në Ukrainë, duhet të ndalojë dërgimin e armëve në Kiev, tha Putin, duke shtuar se nëse kjo do ndodhte, armiqësitë do përfundonin brenda disa javësh.
Putin vazhdoi duke thënë se ishte “qesharake dhe shumë e trishtueshme” që Kievi dëgjoi kryeministrin e atëhershëm të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson dhe kundërshtoi të nënshkruajë një projektarmëpushim me Rusinë për të cilin u ra dakord gjatë bisedimeve të paqes në vitin 2022. Konflikti vazhdon edhe sot e kësaj dite , ndërsa vetë Johnson nuk është më në detyrë, vuri në dukje ai.
Marrëdhëniet me Perëndimin
Putin tha se Rusia e pranoi rënien e Bashkimit Sovjetik dhe priste që pasi të eliminoheshin të gjitha dallimet ideologjike, ajo mund të angazhohej në bashkëpunim me Perëndimin.
Por kjo nuk ndodhi kurrë dhe SHBA-ja dhe “satelitët” e saj mbështetën separatizmin dhe terrorizmin në Kaukazin verior në vitet 1990 duke ofruar mbështetje politike, informative, financiare dhe ushtarake për kryengritësit. Perëndimi ishte gjithashtu i përfshirë në grushtin e shtetit në Ukrainë në 2014.
Zgjerimi i NATO-s
NATO premtoi se nuk do e zgjeronte territorin e saj drejt lindjes, por shpejt e theu këtë premtim duke i futur të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe Balltikut në tufë, tha Putin. Blloku ushtarak i udhëhequr nga SHBA tani synon të tërheqë Ukrainën brenda, shtoi ai.
Putin e quajti qasjen e Perëndimit ndaj Ukrainës një gabim politik kolosal, duke vënë në dukje premtimin e NATO-s të vitit 2008 për të pranuar vendin në bllok, si dhe grushtin e shtetit të mbështetur nga perëndimi në Kiev në 2014.
Fushata e qeverisë së re ukrainase për të persekutuar ata që kundërshtonin grushtin e shtetit ishte një kërcënim për Krimenë, duke e detyruar Moskën të merrte rajonin nën mbrojtjen e saj, shtoi ai.
Putin vuri në dukje se ai kishte pyetur ish-presidentin amerikan Bill Clinton nëse Rusia mund të anëtarësohej në NATO e Clinton i kishte thënë se kjo nuk do ishte e mundur. Megjithatë, nëse lideri amerikan do kishte thënë po, do kishte sjellë një periudhë afrimi midis Moskës dhe aleancës ushtarake, tha Putin.
“Kush e hodhi në erë Nord Stream?” – Carlson pyet Putinit
I pyetur nga gazetari amerikan Carlson se kush besonte se hodhi në erë tubacionet e gazit Nord Stream që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë përmes Detit Baltik, Putin u përgjigj: “Ju”, duke iu referuar SHBA-së dhe aleatëve të saj.
I pyetur nëse ai ka ndonjë provë për përfshirjen e CIA-s apo NATO-s, lideri rus tha se në raste si ky, fillimisht duhen kërkuar ata që do përfitonin nga sulmet dhe që kishin aftësinë për t’i kryer ato.
Elon Musk ‘nuk mund të ndalet’
Miliarderi Elon Musk, i cili po shtyn përpara përparimin teknik, duke përfshirë futjen e një neuroçipi në trurin e njeriut, “nuk mund të ndalet”, tha Putin, duke shtuar se marrëveshjet dhe rregulloret mbi këtë teknologji duhet të arrihen.
Presidenti i krahasoi arritjet e fundit në inteligjencën artificiale dhe gjenetikë me zhvillimin e armëve bërthamore në shekullin e 20-të, duke shpjeguar se kur kombet në mbarë botën filluan të ndjenin rrezikun, ata krijuan marrëveshje për të rregulluar teknologjinë e re.
Putin nuk përjashton lirimin e Gershkovich
I pyetur nëse Moska është e përgatitur të lirojë gazetarin amerikan Evan Gershkovich (i cili u arrestua me akuza për spiunazh në Rusi vitin e kaluar) si një gjest vullneti të mirë, Putin tha se Rusia ka qenë e përgatitur të punojë me Perëndimin, por kjo nuk është kthyer në marrëdhënie të ndërsjellë. Megjithatë, Putin nuk e përjashtoi lirimin e Gershkovich, duke shtuar se kjo do kërkonte fleksibilitet nga shërbimet e inteligjencës perëndimore.
“Perëndimi do mbështesë gjithmonë ata që antagonizojnë Rusinë”
Zelensky u zgjodh president në një platformë paqeje, por u bashkua me “neonazistët dhe nacionalistët” pasi mori detyrën, tha Putin. Ai dha dy arsye për këtë.
E para është se njerëzit si ky janë “agresivë dhe mund të presësh çdo gjë prej tyre”, dhe e dyta është se “Perëndimi i udhëhequr nga SHBA i mbështet ata dhe do mbështesë gjithmonë ata që antagonizojnë Rusinë”.
Ishte “e dobishme” për Zelensky-n, por padyshim që tradhtoi premtimet që ai u bëri votuesve, tha Putin, duke shtuar: Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Ukraina vazhdoi një kërkim për të gjetur identitetin e saj kombëtar, por nuk gjeti alternativë më të mirë tjetër sesa promovimi i “heronjve të rremë” që bashkëpunuan me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani
*Intervistën e plotë mund ta ndiqni Këtu