Vendosni fjalën kyçe....

Në një vit Kosova bleu energji rreth 116 milionë euro, gati 36 milionë vetëm nga Shqipëria


Kosova brenda një viti i ka shpenzuar afro 116 milionë euro në import të energjisë elektrike. Më së shumti import ka pasur nga Maqedonia e Veriut, në mbi 49 milionë euro, derisa nga Shqipëria është importuar në vlerë të 35 milionë e 900 mijë euro.

Gjatë vitit 2023 Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 116 milionë euro.

Importi është bërë nga gjashtë shtete të ndryshme në botë.

Madje edhe nga disa shtete, që nuk e njohin fare Kosovën si shtet.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se Kosova ka blerë energji edhe nga Spanja e Serbia, në vlerën 89 mijë e 223 euro.

Sipas statistikave, Kosova më 2023 më së shumti ka importuar nga Maqedonia e Veriut, e që kap vlerën mbi 49 milionë e 200 mijë euro.

Kosova ka blerë energji mbi 35 milionë e 900 mijë euro edhe në Shqipëri.

Mbi 17 milionë kemi importuar energji elektrike nga Sllovenia, e po ashtu nga Danimarka rreth 7.5 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë për Energji 2022-2031 në mars të 2023.

Sipas kësaj, Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtëritshme.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

Të dhënat e Agjencisë se Statistikave të Kosovës, të publikuara për muajin nëntor, tregojnë sa ishte konsumi i energjisë elektrike.

“Gjatë muajit nëntor të vitit 2023, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 648.95 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 432.84 GWh ose 5,49% më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 18,75%. Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 5.06 mijë ton ose 16,04% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak”.

Vitin e kaluar, sipas një raportimi të mëhershëm të ZRRE-së, janë importuar mbi 750 mijë megavate energji elektrike, ndërsa nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës janë prodhuar rreth 6.35 milionë megavate.

Sipas ASK-së, këtë vit, deri në shtator, janë importuar mbi 246 mijë megavate.

Sipas tarifave të fundit, të miratuara në muajin prill të vitit të kaluar nga ZRRE-ja, (që mund të ndryshojnë tani në prill të këtij viti) për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor