Lulzim Basha ironizoi Berishën nga Vlora.
Ai tha se shumë nga ata që demokratët i vunë në piedestal, në ditën më të vështirë të PD-së nuk ishin aty për demokratët e qytetarët.
Basha shtoi se forca e vërtetë e partisë nuk qëndron te asnjë individ po te bashkimi.
“Vlora dhe vlonjatët kanë ditur t’i vlerësojnë gjithmonë në histori, njerëzit të cilët kanë sakrifikuar nga vetja për diçka më të madhe se vetja. Këtë bënë dhe demokratët në Vlorë. Në një moment kur ishte lehtë të tërhiqeshin pas, në një moment kur nuk ishte e vështirë të humbje rrugën, e bashkë me të edhe arsyen edhe motivimin, edhe vet orientimin ose busullën politike, siç e humbën shumë nga ata të cilët ne i kishim vendosur në piedestal. Siç e humbën shumë ata që janë krusur nga pasha e medaljeve të marra nga demokratët, por që në ditën më të vështirë të PD nuk u gjendën aty as për demokratët, as për votuesit tanë as për vlerat e familjes tonë. Koha tregoi diçka tjetër, se forca e vërtetë e kësaj force politike nuk qëndroi kurrë tek njëshi, apo te dyshi apo te treshi. Forca e vërtetë e Partisë Demokratike ka qenë gjithmonë motivi i bashkimit në këtë familje, që është t’i shërbejmë njerëzve, të jemi këtu me njerëzit dhe për njerëzit. Lidershipi i vërtetë i PD janë demokratët.” – tha Basha.