Vendosni fjalën kyçe....

U kërcënua me jetë, reagon Kurti: Rrënjët e tyre janë në Beograd


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se ka pasur shumë kërcënime ndaj tij nga individë e struktura që kanë rrënjët në Beograd.

Reagimi i Kurtit vjen pasi RTK ka raportuar nga burimet e sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Për “regjim të posaçëm të komunikacionit” kishte njoftuar edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut për vizitën e Kurtit në Shkup më 9 dhe 10 shkurt.

“Ministria e Brendshme njofton opinionin se sot dhe nesër (9 dhe 10 shkurt) për shkak të vizitës së paralajmëruar zyrtare të një delegacioni të kryesuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Siguria Rrugore Njësia e RSSH-së Shkup do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit për përdoruesit e rrugës në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’u binden urdhrave që do të jepen nga punonjësit e uniformuar të policisë”, thuhet në njoftimin e tyre.