Të paktën tetë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur të shtunën në Ukrainë, si pasojë e sulmeve të reja ruse me dronë.
Autoritetet ushtarake ukrainase kanë raportuar edhe për dëme në një port shumë të rëndësishëm për eksportin e mallrave ushqimore të Ukrainës.
Sulmet me dronë në qytetin lindor të Ukrainës – Harkiv – kanë lënë të vrarë shtatë persona, përfshirë tre fëmijë.
Kryeprokurori i Harkivit, Oleksandr Filchakov, ka thënë në Telegram se tre dronë e kanë goditur një stacion gazi.
Kryetari i Harkivit Ihor Terekhov, ka thënë se nafta e rrjedhur prej sulmit ua ka vënë flakën shtëpive në afërsi, dhe rreth 50 persona janë evakuuar.
Në rajonin e Hersonit, trupat ushtarake ruse kanë bombarduar fshatin Veletekske, duke e vrarë një grua dhe duke ia plagosur prindërit.
Në rajonin e Odesas, katër persona janë plagosur si pasojë e sulmeve me dronë rusë.
Autoritetet kanë thënë se nëntë dronë të prodhuar prej Iranit, janë lëshuar në qytetin e Odesas, por ata janë rrëzuar prej mbrojtjes ukrainase.
“Mbetjet e një droni të rrëzuar e kanë dëmtuar infrastrukturën në port dhe një punëtor është plagosur”, kanë thënë autoritetet përmes një postimi në Telegram.
Ndaras, forca ajrore ukrainase ka raportuar se Rusia i ka nisur 31 dronë në rajonet e Harkivit dhe Odesas, më 10 shkurt. Sipas saj, mbrojtja ajrore ukrainase i ka rrëzuar 23 të tillë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, shkruan REL.