Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku u kundërpërgjigjet kritikëve për bekimet e çifteve të të njëjtit seks


Papa Françesku ka reaguar ndaj atyre që kritikojnë vendimin e tij për lejimin e bekimit të çifteve të të njëjtit seks, duke thënë se kritikët janë fajtorë për hipokrizi.

“Askush nuk skandalizohet nëse i jap një bekim një sipërmarrësi që ndoshta shfrytëzon njerëzit: dhe ky është një mëkat shumë i rëndë,” tha Papa në një intervistë në botimin e fundit të revistës italiane “Credere”.

“Ndërkohë ata skandalizohen nëse ia jap një homoseksuali…Kjo është hipokrizi! Të gjithë duhet të respektojmë njëri-tjetrin. Të gjithë!.”

Vitin e kaluar, Papa 87-vjeçar autorizoi priftërinjtë për të ofruar bekime joformale për çiftet në bashkime “të parregullta” në një dokument historik të lëshuar më 18 dhjetor 2023. Është hera e parë që Vatikani lejon bekime të tilla, pasi i kishte ndaluar më parë ndonjë lëvizje të tillë.

Por vendimi ka ngjallur reagime të kundërta brenda kishës. Ndërsa ata në kishat perëndimore e kanë mirëpritur kryesisht vendimin, një organ që përfaqëson peshkopët në Afrikë tha se ata nuk do ofronin bekime të tilla sepse ata “nuk e konsiderojnë të përshtatshëm për Afrikën”, duke shtuar se “do shkaktonte ngatërresa dhe do ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me moralin kulturor të komuniteteve afrikane.”

Papa e ka përshkruar kritikën ndaj bekimeve në Afrikë si një “rast të veçantë” të ndikuar nga kultura, ndërsa peshkopët afrikanë, pavarësisht mosmarrëveshjeve, kanë ruajtur besnikërinë e tyre ndaj Papës.

Kritika është shprehur edhe mes një pjese të zëshme të konservatorëve brenda kishës, shumë prej tyre në Shtetet e Bashkuara dhe pjesë të Evropës, dhe për të cilat Papa Françesku ka thënë më parë se “i përkasin grupeve të vogla ideologjike”.

Vatikani ka këmbëngulur se bekimet për çiftet e të njëjtit seks nuk janë të “bashkimit” por për njerëzit që i kërkojnë ato.

“Unë nuk bekoj një ‘martesë të të njëjtit seks’, unë bekoj dy njerëz që e duan njëri-tjetrin dhe gjithashtu u kërkoj atyre të luten për mua,” i tha ai priftit Don Vincenzo Vitale, i cili drejtoi intervistën.