Vendosni fjalën kyçe....

Plan serb për eliminimin e Albin Kurtit gjatë vizitës në Shkup? Media në Kosovë zbulon raportin e shërbimit inteligjent


Masa të shtuara sigurie ka pasur të premten në kryeqytetin e Maqedonisë së veriut Shkup për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

RTK-ja citon burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë ku thekson se kryeministri Kurti ishte kërcënuar me vrasje. Pas kësaj institucionet e sigurisë së Kosovës kanë njoftuar institucionet homologe në Shkup.

“Menjëherë janë bërë grupe të përbashkëta pune, të cilat kanë qenë të dislokuara në gjithë Shkupin, dhe veçmas në perimetrin e lokacionit ku ka qëndruar Kurti”, thekson burimi, sipas RTK-së.

Sipas burimit që citohet nga RTK-ja, në kuadër të planit terrorist serb, ka paraprirë një shkrim në mediat serbe, ku lideri opozitar serb, Dragan Gjilas, akuzohej se do takohej me Kurtin.

“Sipas analizave, sulmi do kryhej që të dukej si i rastësishëm, gjoja nga ekstremi i djathte serbo-maqedonas”, thekson burimi.

“Informacioni ka ardhur si inteligjencë në disa burime, si nga burimet e fshehta njerëzore, ashtu edhe nga burime të hapura, siç janë kanalet serbe në platformën ruse telegram. Njëri kanal “KORIDOR” i takon organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, kurse tjetri “BUNT” i takon ekstremit të djathtë serb. Që të dyja, kontrollohen nga shërbimet e inteligjencës serbe”, shton burimi i cituar nga RTK-ja.

Sipas tij, institucionet e sigurisë në vazhdimësi i kanë marrë seriozisht kërcënimet që vijnë nga rrjete të veçanta sociale, gjë që është dëshmuar edhe me sulmin terrorist në Banjskë, ku qe paralajmëruar sulmi që u bë me 24 shtator 2023.

“Plani serb është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku me pas, do të mund të interpretohej si qërim hesapesh në mes të shqiptareve”, bënë të ditur burimi.

Ndërkohë sipas pamjeve të publikuara,e dhe mëngjesin e sotëm ka pasur masa të shtuara të sigurisë, duke kontrolluar çdo makinë në afërsi të vendit ku ka kaluar natën kryeministri Kurti.

Sipas burimeve të sigurisë, plani për eliminimin e Kurtit ka ardhur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB, ku Kurti e Vuçiç u përplasën.

Pas kthimit nga Shkupi, zyra e kryeministrit të Kosovës ka bërë një reagim zyrtar ku theksoi se pavarësisht lajmeve për atentat ndaj tij, Kurti nuk ishte ndjerë për asnjë çast i kërcënuar.

“Kryeministri Kurti ka qëndruar mbrëmë në Shkup pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbrëmë fillimisht pati një darkë me përfaqësues të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian (PSE). Pastaj në mëngjes ishte i pranishëm në takimin rajonal pikërisht me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian, të organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES). Jemi të informuar se ka shumë kërcënime nga individë dhe struktura që kanë lidhje me Beogradin zyrtar. Në Shkup janë parë forca të shumta të rendit. Kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni të Veriut. Ai tashmë është në Kosovë dhe po vazhdon agjendën e tij.” – pohoi zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu.

Ndërkohë vetë kryeministri i Kosovës Kurti ka deklaruar sot se  nuk është ndjerë i rrezikuar në Shkup, pavarësisht kërcënimeve që sipas tij i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar.

“Kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup.” – ka thënë Kurti.