Vendosni fjalën kyçe....

11 punonjësit e Kadastrës Lezhë ankimojnë vendimin për pezullimin e tyre nga detyra


11 punonjësit e Agjencisë së Kadastrës në Lezhë kanë ankimuar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vendimin e shkallës së parë për pezullimin e tyre nga detyra, pasi janë vënë nën akuzë për moszbatimin e një vendimi gjyqësor.

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lezhës, në një deklaratë të përbashkët të shpërndare për mediat, zyrtaret e Kadastrës e konsiderojnë të paligjshëm nisjen e hetimeve ndaj tyre dhe masat e sigurimit të vendosura nga gjyqtari Renis Sheshi, duke akuzuar prokurorinë për fshehje të vendimi të gjykatës, e cila kishte refuzuar konfiskimin e pronave për të cilat pretendohet që Kadastra nuk vepruar.

 

 

Reagimi i punonjësve të Kadastrës Lezhë

Vendimi i shkallës së parë i vlerësimit të kushteve të caktimit të masës së sigurimit është një kopje identike e vendimit të caktimit të masës së sigurimit, i cili është marrë në mungesë të të dyshuarve. Prandaj, prania fizike dhe argumentet e detajuara të paraqitura nga të dyshuarit nuk kanë gjetur fare pasqyrim në vendim, duke e kthyer këtë proces gjyqësor në një farsë të pavlerë. Duket se gjyqtari i çështjes e kishte paravendosur vendimin e tij mbi këtë çështje, sepse nuk kishte as durim dhe as vëmendje për të dëgjuar argumentet dhe provat e shumta që paraqitëm ne, duke u tërhequr në dhomën e këshillimit pa marrë me vete asnjë provë dhe e shpalli vendimin për pak sekonda.

Së dyti, sa i përket thelbit të pretendimeve të Prokurorisë (të pranuara verbërisht nga gjykata e shkallës së parë), në rastin në shqyrtim nuk rezulton që të ketë ndodhur mosekzekutimi i ndonjë vendimi të gjykatës. Siç lexohet nga dispozitivi i vendimeve nr. 198, datë 17.09.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, i ndryshuar me vendimin nr. 50-2022-1471, datë 28.10.2022 të Gjykatës së Apelit Shkodër, këto vendime janë ekzekutuar me përpikmëri nga punonjësit e ASHK Lezhë që e kanë pasur për detyrë funksionale, duke bërë shënimet në dokumentet e falsifikuara që kanë pasur në zyrë dhe duke kërkuar informacion për asgjësimin e dokumenteve të tjera të sekuestruara të cilat akoma nuk janë kthyer pranë ASHK Lezhë (pasi çështja vijon të jetë në pritje për tu gjykuar nga Gjykata e Lartë).

Së treti, Prokuroria Lezhë ka filluar procedim penal ndaj 11 punonjësve të ASHK Lezhë sepse ata nuk kanë zbatuar urdhrin e ekzekutimit të saj (Prokurorisë) për kalimin në favor të shtetit të disa pasurive të paluajtshme, mirëpo ky urdhër ekzekutimi nuk ka dalë në zbatim të vendimeve gjyqësore penale nr. 198, datë 17.09.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, i ndryshuar me vendimin nr. 50-2022-1471, datë 28.10.2022 të Gjykatës së Apelit Shkodër.

Siç citon edhe vetë gjykata e shkallës së parë në vendimin e saj, asnjëri nga këto dy vendime nuk përmend as në arsyetim dhe aq më pak në dispozitiv për konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të ndonjë pasurie të paluajtshme. Punonjësit e ASHK Lezhë kanë treguar zell dhe nivel të lartë bashkëpunimi për sqarimin herë pas here të Prokurorisë Lezhë, ASHK Tiranë dhe shtetasin Gjek Celaj për pamundësinë ligjore për të kaluar në favor të shtetit të disa pasurive të paluajtshme, pa pasur për to një vendim gjyqësor të formës së prerë që e urdhëron një veprim të tillë.

Së katërti, Prokuroria i ka kërkuar ASHK Lezhë që kjo e fundit të fshijë nga kartelat e pasurive të paluajtshme emrat e pronarëve aktualë dhe këto pasuri t’i kalojë në favor të shtetit, duke u mbështetur në disponimin e Gjykatës së Apelit që ka vendosur asgjësimin e dokumenteve të origjinës dhe së dyti duke u mbështetur në dy vendime gjyqësore të caktimit të masës së sekuestros preventive mbi disa pasuri të vendosura gjatë hetimit paraprak.

Asnjëri nga këto vendime penale nuk kanë kuptimin e një disponimi gjyqësor (konfiskimi) për ndryshimin e pronësisë së një prone të caktuar dhe janë thjeshtë aludime të Prokurorisë se si ajo mendon se do të ishte dashur që të kishte vendosur gjykata që ka gjykuar në themel çështjen penale ndaj disa të pandehurve për përfitimin e paligjshëm të disa sipërfaqeve toke.

Vendosja nga gjykata e themelit e asgjësimit të një dokumenti nuk do të thotë asesi se në regjistrat e ASHK-së duhet të ndryshojë edhe pronësia e asaj prone nga  vetë ASHK-ja pa u shprehur gjykata për këtë fakt dhe aq më pak se domosdoshmërisht u dashka që pronari i ri të jetë shteti siç pretendon Prokuroria. Po njësoj edhe referimi i dytë i bërë nga Prokuroria në dy vendimet për caktim mase sigurimi pasuror gjatë hetimit paraprak nuk ka asnjë lidhje me konfiskimin e këtyre pronave automatikisht nga ASHK-ja, pa pasur një vendim gjyqësor të formës së prerë se çfarë ka vendosur Gjykata në fund të procesit për këto prona.

Së pesti, ASHK pasqyron në regjistrat e saj të gjitha veprimet juridike që palët pronare të saj apo një organ shtetëror brenda kompetencave të tija ka urdhëruar për një pronë konkrete, POR asaj nuk i lejohet që të kryejë interpretime dhe aq më pak transformime të përmbajtjes së këtyre akteve, duke kryer në regjistrat e saj veprime të cilat nuk janë pasqyruar në aktet apo titujt që asaj i shkojnë për aplikim dhe veprim.

Së gjashti, Prokuroria e ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit datë 31.10.2022 në shkelje të hapur të neneve 18 dhe 50 të ligjit Nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të cilat shprehimisht parashikojnë se ekzekutimi i vendimeve penale që kanë të bëjnë me konfiskimin e mjeteve të kryerjes së veprës penale nuk kryhet drejtpërdrejtë nga Prokuroria, por kryhet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara sipas ligjit nr. 34/2019. Prandaj, e gjithë veprimtaria procedurale e Prokurorisë Lezhë për ekzekutimin e vendimeve nr. 198, datë 17.09.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, i ndryshuar me vendimin nr. 50-2022-1471, datë 28.10.2022 të Gjykatës së Apelit Shkodër është e paligjshme dhe në tejkalim të kompetencave ligjore të këtij institucioni.

Së shtati, (çfarë provon qartësisht paligjshmërinë e pretendimit të prokurorisë për kalimin në pronësi shtet të disa pasurive të paluajtshme) është fakti i mbajtur prej saj fshehur, duke mos ia dërguar gjykatës që ka vlerësuar masat tona të sigurimit, se me vendimin nr. 55, datë 29.05.2023, Gjykata Lezhë i ka rrëzuar Prokurorisë kërkesën për konfiskimin e këtyre pasurive të paluajtshme objekt i këtij gjykimi dhe kalimin e tyre në pronësi shtet. Me arsyetimin që gjykata ka dhënë në lidhje me këtë kërkesë të Prokurorisë kuptohet qartë se jo vetëm që ASHK Lezhë nuk mund të bënte vetë kryesisht fshirjen e këtyre kartelave të pasurive të paluajtshme nga pronarët aktualë dhe kalimin e pronave në pronësi shtet, por rezulton e kundërta, se një veprim i tillë i këtyre punonjësve pa pasur një vendim gjyqësor që e shpreh një detyrim të tillë, do të kishte përbërë një vepër të pastër penale të shpërdorimit të detyrës.

 

Prandaj, urdhërimi i Prokurorisë që ASHK Lezhë të kalojë në pronësi shtet të këtyre pasurive të paluajtshme, vetëdemaskohet nga kërkesa që Prokuroria i ka drejtuar me 18.04.2023 Gjykatës Lezhë për konfiskimin e këtyre pasurive dhe kalimin e tyre në favor të shtetit. Nëse Prokuroria Lezhë do ta kishte të qartë se në gjykimet e themelit nr. 198, datë 17.09.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, i ndryshuar me vendimin nr. 50-2022-1471, datë 28.10.2022 të Gjykatës së Apelit Shkodër është urdhëruar konfiskimi i pasurive të paluajtshme dhe kalimi i tyre në favor të shtetit, atëherë nuk kishte përse ti drejtohej me 18.04.2023 Gjykatës Lezhë me një kërkesë të tillë (e cila është rrëzuar nga gjykata).

Vetëm fakti që Prokuroria i është drejtuar gjykatës me një kërkesë të tillë (pa lexuar argumentet e vetë Prokurorisë në këtë kërkesë dhe të Gjykatës që i ka rrëzuar), provon qartësisht se nuk ka pasur më parë një disponim të tillë në gjykimet e themelit, të cilave Prokuroria u është referuar në urdhrin e saj të ekzekutimit.

Prandaj, në rastin në shqyrtim nuk rezulton që nga ASHK Lezhë të jetë marrë deri më sot ndonjë urdhër refuzimi për ekzekutimin e këtij vendimi gjyqësor penal, por është Prokuroria Lezhë e cila kërkon që ASHK të kryejë një veprim të cilin ajo vetë pranon se nuk është urdhëruar nga Gjykata e themelit për tu kryer. Për më tepër duhet sqaruar se që nga korriku 2023 shërbimet juridike nga ASHK nuk kryhen më nga specialistët e drejtorive respektive ku ndodhet prona (në rastin konkret Lezhë), por hidhen në sistem me short dhe përpunohen nga juristët e të gjithë vendit.