Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për ish-kryebashkiakun e Fushë Arrëzit



Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Fushë Arrëzit Fran Tuci.

Franc Tuci u dënua me 1.6 vite burg në tetor të vitit të kaluar nga GJKKO.

Ish-zyrtari i PS-së ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul me 1 vit burg. Gjithashtu togat e zeza i kanë hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Fran Tuci dhe ish-Administratori i Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku u arrestuan më 13 korrik 2023 dhe ndaj tyre u ngrit akuza ‘shpërdorim i detyrës’.

Ndërkohë, biznesmeni Margjeka është ende në kërkim për akuzën ‘ndërtim i paligjshëm’, pasi nuk është gjetur për ekzekutimin e masës detyrim paraqitje, me akuzën se ka kryer punimet në terren me mjete të rënda.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se në territorin e Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, është hapur segmenti i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cenuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë-Arrëz.